Gazidis: Është bërë një punë fantastike në merkato, strategjia jonë...

Gazidis: Është bërë një punë fantastike në merkato, strategjia jonë...

22:16, 28/10/2020

Milani po funksionon në mënyrë perfekte gjatë vitit 2020 dhe aktualisht kryeson kampionatin italian në mënyrë surprizë, ndërsa administratori Ivan Gazidis vijon të shijojë punën e mirë që kanë bërë vartësit e tij me në krye Paolo Maldinin.

Në një intervistë të dhënë në prag të mbledhjes së Këshillit të Aksionerëve, Gadizis u shpreh mjaft i kënaqur si me punën e drejtuesve, ashtu edhe me rezultatet në fushë, teksa theksoi se Maldini ka nisur tashmë punën për merkaton e janarit.

“Sapo ka përfunduar merkatoja e vjeshtës dhe Maldini ka nisur tashmë punën për atë të janarit. Strategjia jonë është e qartë, pasi duam të marrim talentet më të mira në qarkullim dhe t’i bëjmë të rriten bashkë me ne. Deri tani të gjithë drejtuesit, përfshi edhe trajnerin, kanë bërë një punë fantastike, por është një rrugëtim i gjatë dhe jemi vetëm në fillime. Kemi pas shpine një shoqëri të fortë, që beson te projekti dhe na ndihmon ta çojmë përpara”, u shpreh Gazidis.

Ish drejtuesi i Arsenalit më pas u ndal të komentojë edhe zërat për krijimin e një Superlige Europiane, duke theksuar se për këtë flitet prej 10 vitesh, por nuk ka asnjë propozim që vë në dyshim zhvillimin e garave kombëtare.

“Spekulimet për krijimin e Superligës ekzistojnë tashmë prej 10 vitesh, pasi detyra e botës së futbollit është të zhvillojë edhe më shumë garat kombëtare e ndërkombëtare. Megjithatë mund të them se nuk ka asnjë propozim që mund të rrezikojë ndërprerjen e kampionateve kombëtare. Milani gjithsesi është vazhdimisht në bisedime dhe gati të kontribuojë për përmirësimin e garave aktuale”, deklaroi Gazidis.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco