‘Kam 2 vite që bredh për kontratën e re’/ Menaxheri i Hysajt i lodhur me drejtuesit e Napolit

‘Kam 2 vite që bredh për kontratën e re’/ Menaxheri i Hysajt i lodhur me drejtuesit e Napolit

17:31, 26/10/2020

Rinovimi i kontratës së Elsied Hysajt me Napolin është shndërruar në një telenovelë, seria më e fundit e të cilës është luajtur paraditen e sotme me agjentin e shkodranit, Mario Giuffredi, që ka lëshuar deklaratën e radhës.

Në një intervistë për radion “Punto Nuovo”, menaxheri ka deklaruar se ka dy vite që pret Napolin për rinovimin e kontratës së Hysajt dhe se tani është lodhur nga kjo histori, ndaj shumë shpejt do të marrë në konsideratë edhe opsione të tjera.

“Rinovimi i kontratës së Hysajt nuk është i lidhur me atë të Gattusos. Nuk duhet të jetë kështu, pasi kam dy vite që bredh pas Napolit për kontratën e re dhe jam lodhur tashmë, ndaj mendoj se është momenti i duhur për të marrë në konsideratë të gjithë propozimet që vijnë. Nëse Napoli do të bëjë propozimin më të mirë, atëherë do ta marrim në konsideratë, por në të kundërt nga janari Hysaj mund të firmosë për atë që i duket oferta më interesante”, u shpreh Giuffredi.

Këtë sezon klubi napolitan po bën mjaft mirë nën drejtimin e Gennaro Gattusos, ndaj menaxheri i Hysajt, Di Lorenzos dhe Mario Ruit shprehet se ky është viti i duhur që Napoli të synojë triumfin në kampionat.

“Napoli ka tre anësorë të jashtëzakonshëm si Di Lorenzo, Mario Rui e Hysaj. Ky i fundit po luan shumë mirë në të dy krahët dhe është shfaqur në nivele të larta gjithmonë, me përjashtim të kohës kur ishte Ancelotti. Edhe Gattuso po bën një punë mjaft të mirë, ndaj mendoj se ky është viti i duhur që Napoli të synojë titullin kampion, pasi edhe Juventusi është në fazë rindërtimi”, deklaroi menaxheri i Hysajt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco