Statistikat, Hamilton më i mirë se Schumacher!

Statistikat, Hamilton më i mirë se Schumacher!

14:58, 26/10/2020

Lewis Hamilton triumfoi në Çmimin e Madh të Portugalisë, duke thyer rekordin e përgjithshëm të fitoreve që mbahej nga piloti legjendar gjerman Michael Schumacher. Në Autodromin Ndërkombëtar të Algarves në Portimao piloti britanik u nis nga pole position, për të regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe të tetën për këtë sezon të Formulës 1. Edicioni i vitit 2020 do të mbahet mend gjatë për rrethanat dhe organizimin e kampionatit më të shpejtë në rruzull, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por natyrisht sezoni i 70-vjetorit të këtij sporti nuk do të harrohet kurrë nga 35-vjecari anglez, që në tokën luzitane ia doli për të thyer një tjetër rekord të Michael Schumacher-it. Dicka që pritej të ndodhte, duke patur parasysh ritmin e përshpejtuar të Hamilton-it në këto katër sezonet e fundit dhe dëshirën e madhe të pilotit britanik për të grisur cdo rekord të pilotit të famshëm gjerman.

Veterani anglez nuk është duke pyetur shumë për komentet e të tjerëve, në lidhje me diferencën e frikshme që ka Mercedesi me gjithë makinat e tjera, por Hamilton është duke përfituar nga rasti për të gllabëruar gjithcka, në mënyrë që të konsiderohet ai si piloti më i madh i të gjitha kohërave. Hegjemonia e tij në edicionin e 71 të Formulës 1 është e dukshme, megjithatë kjo është një situatë që është parë të përsëritet pafundësisht në këto vitet e fundit, aq sa për ta shndërruar kampionatin vërtet në një kompeticion të mërzitshëm. Pak a shumë gjithcka ngjan me një film, ku fundi kuptohet që në fillim, sidoqoftë veterani anglez tani po bëhet gati për të koleksionuar titullin e 6 në 7 sezonet e fundit.

Përjashtim bën thjesht edicioni i 67, ku Hamiltoni u mund nga e njëjta makinë, pra nga shoku i tij i skuadrës te ekipi Mercedes Nico Rosberg. Për fatin e keq të kampionatit dhe për fatin e mirë të pilotit britanik Rosberg u tërhoq në rrethana të cuditshme dhe shumë të paqarta dhe nga situata e krijuar është duke përfituar në maksimum pikërisht piloti nga Stevenage. Sigurisht nuk është faji i Hamilton-it që në Formulën 1 të këtyre viteve të fundit mungon plotësisht rivaliteti dhe Mercedesi ngjan si avion krahasuar me makinat e tjera, sidoqoftë faktet tregojnë që veterani britanik mund të fitojë titullin në boëtrorin e pilotëve që fundjavën e ardhshme, në Imola në Çmimin e Madh të Emilia Romagna-s, pra plot katër gara para përfundimit të këtij sezoni, duke i zhvlerësuar në maksimum etapat e mbetura deri në mesin e muajit dhjetor.

Me triumfin në Portugali Hamilton u ngjit në kuotën e 256 pikëve, ndërsa shoku i tij i skuadrës Valtteri Bottas që është edhe ndjekësi më i afërt numëron 77 pikë më pak. Me një përllogaritje elementare, nëse Hamilton fiton në Itali dhe Bottas nuk shkon përtej vendit të nëntë atëherë gjithcka përsa i përket botërorit të pilotëve do të mbyllet që të dielën e ardhshme. Në Mbretërinë e Bashkuar kanë rendur me shpejtësi për të lartësuar emrin e pilotit britanik, deri në atë pikë sa për ta konsideruar si më të madhin e të gjitha kohërave, pra përpara Senës, Fanxhios dhe Schumacherit.

Numrat janë numra dhe ashtu sic pritej për shkak të superioritetit të makinës së tij Hamilton është duke thyer cdo rekord të mundshëm. Senna, Fangio dhe Schumacher kanë garuar në kohë të tjera, kur pilotët e bënin pothuajse gjithcka vetë dhe kur mungonte komunikimi në radio, apo siguria ishte në nivele gati të papërfillshme me garat aktuale, madje edhe vetë deklarata e ish-padronit Bernie Ecclestone shpjegon qartë diferencën e madhe që përfaqëson Mercedesi me gjithë makinat e tjera dhe avantazhet e shumta që ka ditët e sotme në aspektin teknik Lewis Hamilton.

Gjithsesi është një debat i gjerë, që lë vend për diskutim, por më herët i njëjti diskutim është bërë për Ferrari-n që nga viti 1999–2004 konsiderohej si makina më fituese e të gjitha kohërave, ndërsa Mercedesi e ka kaluar me pash, duke mbytur çdo lloj rivaliteti të mundshëm dhe vrarë përfundimisht kampionatin. Gjithcka kuptohet qartë nga titujt për konstruktorë, ku Mercedesi që tani ka një epërsi prej plot 209 pikësh, pra skuadrës gjermane i nevojiten praktikisht vetëm 6 pikë për të koleksionuar titullin e shtatë në botërorin e konstruktorëve.

Me suksesin në Portimao Hamilton u ngjit në kuotën e 92 fitoreve në Formula 1, duke kaluar me një më shumë pilotin e madh gjerman. Kuptohet tani numri i garave është shumë më i lartë, prandaj për të fiksuar edhe një rekord të tillë pilotit britanik i mjaftuan vetëm 14 sezone, ndërsa Schumi-t iu deshën plot 19 vjet. Statistikat vazhdojnë në favor të veteranit anglez dhe Hamilton kryeson 161-155 me podiume dhe 97-68 me pole position, ndërkohë pikët e grumbulluara janë përsëri 3.687 me 1.566 në favor të kampionit në fuqi të botës.

Schumacher ka mbetur përpara vetëm te xhirot e shpejta 77-52 dhe vendet e dyta 43-40, sepse në fund të këtij sezoni është mëse e qartë që Hamilton do të barazohet gjithashtu me pilotin e famshëm gjerman, me 7 tituj gjithsej, ndërsa në vitin 2021 pa dashur për të bërë orakullin Lewis Hamilton me atë makinë që nget befas do të kërcejë në krye me plot 8 trofe të fituar në total në botërorin e pilotëve, në vetëm 15 kampionate të zhvilluar në karrierë./ss

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco