Cagliari fiton ndeshjen spektakolare kundër Crotone-s

Cagliari fiton ndeshjen spektakolare kundër Crotone-s

14:54, 25/10/2020

Cagliari merr fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi mposhti Crotonen me rezultatin 4-2 në Sardegna dhe filloi ngjitjen në renditje, pasi tani e sheh veten në kuotën e 7 pikëve.

Skuadra e drejtuar nga Eusebio Di Francesco nuk e nisi aspak mirë sezonin, pasi në tre javët e para mori vetëm një pikë, por duket se tani ka gjetur ekuilibrat e duhur dhe pasi mposhti Torinon në transfertë, sot regjistroi një tjetër sukses.

Crotone vinte me moral të lartë në këtë takim, pasi ia kishte dalë në ndalë kampionin në fuqi, Juventusin një javë më parë dhe sot kaloi e para në avantazh me anë të Messias në minutën e 21-të të takimit.

Megjithatë reagimi i Cagliarit ishte mjaft i mirë dhe ishte greku Lykogiannis që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 25-të e më pas Giovanni Simeone gjeti golin e avantazhit të përkohshëm për sardët.

Molina riktheu edhe njëherë baraspeshën për Crotonen, por në fundin e pjesës së parë ishte sulmuesi i talentuar Sottil që shënoi golin e tretë për Cagliarin dhe dërgoi sardët në dhomat e zhveshjes me avantazhin 3-2.

Në pjesën e dytë gjithçka u komplikua për Crotonen, pasi pikërisht lojtari I blerë nga Cagliari në verë, Luca Cigarini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 futbollistë për thuajse të gjithë 45-minutëshin e dytë.

Megjithatë Crotone rezistoi dhe disa herë i shkoi pranë golit të barazimit, por shpresat u venitën në minutën e 85-të, kur Joao Pedro shënoi edhe golin e katërt për Cagliarin, duke vulosur suksesin e dytë radhazi në kampionat për sardët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco