Presidenti i akordon Roza Haxhiut, titullin 'Kalorës i Urdhrit të Flamurit'

Presidenti i akordon Roza Haxhiut, titullin 'Kalorës i Urdhrit të Flamurit'

10:29, 25/10/2020

Nga Ilir Meta.

Privilegj të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një nga legjendat e sportit tonë, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët tanë të mëdhenj dhe të paharruar, i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në pak kohë.

Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.

Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë, golashënues i klasit të parë me Ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe sidomos me Partizanin ku u shpall disa herë kampion kombëtar, fitues i Kupës, si edhe mori medalje të argjendë në turneun e Laipcigut.

Nëse sporti ka martirët e tij, Roza Haxhiu, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.

I dalluar si mesfushor me vizion të gjerë, i papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh, Roza Haxhiu, luajti edhe për Ekipin Kombëtar, ku u dallua për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit tonë.

Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë.

Mirënjohje, respekt dhe i paharruar kujtimi i Roza Haxhiut për gjithçka i dha sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar dhe burim i përjetshëm frymëzimi për gjeneratat e reja të sportistëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco