Muçi: Konkurrenca nuk është problem, i lumtur që më kërkojnë shumë skuadra europiane

Muçi: Konkurrenca nuk është problem, i lumtur që më kërkojnë shumë skuadra europiane

21:21, 23/10/2020

Ernest Muçi është gati për Tiranën e re. Pas firmës me klubin bardheblu, Muçi ia doli të shënonte edhe në miqësoren me Kastriotin. Në një intervistë të dhënë së  fundmi për "Panorama Sport" sulmuesi foli për gjithçka, duke filluar nga golat që do të shënojë, merkaton dhe skuadrat që e kërkojnë dhe çfarë pret nga ky kampionat që nuk dihet se kur do të nisë. Muçi realizoi tetë gola në sezonin e fundit kampion të Tiranës, shumica duke i shënuar si lojtar zëvendësues. Pas largimit të Majkëll Ngosë, ai fitoi vendin e titullarit tek ekipi i Emanuel Egbosë. Kontributi i tij pritet të jetë më se i vlefshëm edhe për këtë edicion për 25 herë kampionët e Shqipërisë.

Ernest, do të jeni sërish pjesë e Tiranës edhe për një vit, pikërisht në sezonin me shumë oferta?
Është vendosur kështu. Kam firmosur edhe për një vit me bardheblutë. U vendos kështu, mes klubit dhe menaxherit. Besoj se ishte në të mirën time. Në këto kushte duhet të jap më të mirën në këtë sezon, që të shënoj sa më shumë gola që të ndihmoj ekipin, veten dhe të kaloj në një skuadër tjetër ndoshta në merkaton e verës. Jam i kënaqur dhe i bindur që gjërat do të ecin mirë.

Tek Ernesti është fokusuar vëmendja e të gjithëve, tifozë, skuadër, klub dhe menaxherë. Një barrë e rëndë për një 19- vjeçar?
Është një peshë e rëndë. Një gur që duhet të dish ta mbash mbi shpinë. Kur shënon, do të jesh heroi i skuadrës, sepse po bën atë që duan të gjithë. Nëse nuk shënon, atëherë do të të kryqëzojnë. Të gjithë do të të sulen ty. Besoj se jam gati që t’i përballoj të gjitha, të mirat dhe kritikat. Ama qëllimi im parësor është që të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin e Tiranës për të qenë sërish kampion.

Nuk ju ka dashur fati fare në ndeshjet e Europës. Në çdo sfidë flirtuat me golin…
E vërtetë. E kemi diskutuar disa herë që nuk donte që unë të shënoja. Ndoshta fati del diku tjetër dhe do të ishte diçka e mirë për të gjithë.

Cili është objektivi i Ernest Muçit në këtë sezon, në listën e golave të shënuar? Presidenti ka thënë 15 deri në 20 gola…
Është realisht ky objektivi im. Dua të shënoj nga 15 deri në 20 gola. Duhet ta përmbush këtë objektiv që të jem sa më lart.

Niseni si kampionë dhe skuadra për t’u mundur. Si e shihni veten në këtë situatë të re?
Po, është e vërtetë. Jemi skuadra kampione dhe sytë janë te ne. Kampionati nga ana tjetër do të jetë shumë i luftuar, në çdo ndeshje, madje. Qëllimi ynë është që të luftojmë ndeshje për ndeshje. Të luftojmë shumë duke përsëritur sezonin e shkuar dhe në fund jam i bindur se do të marrim rezultate të mira, të paraqitemi mirë dhe, pse jo, le të fitojmë sërish titullin.

Muçi, Avdijaj, Sasraku. Goxha konkurrencë në sulm për një vend në majën e skuadrës?
Nuk e kam frikë. Konkurrenca në sulm është gjë e mirë në një ekip futbolli. Të shtyn që të japësh maksimumin dhe të stërvitesh më shumë. Të jep qëllim dhe dëshirë ta mbash vendin sa më shumë. Thjesht të rritesh dhe të nxjerrësh më të mirën nga vetja jote. Po kështu shpresoj që lojtarët që kanë ardhur të bëhen gati dhe të na ndihmojnë për sezonin e ri. Kjo do të na japë krahë.

Cilin shihni kundërshtarin e Tiranës për rrugën e titullit në këtë sezon të Superiores që ende nuk ka filluar?
Mezi po e presim futbollin. Sa për kundërshtarët në kampionat janë shumë skuadra të mirë që u ndërtuan në verë. Laçi, Teuta, pse jo, dhe Kukësi që është ekip shumë i fortë. Duhet t’i luftojmë të gjitha skuadrat dhe të shpresojmë që të marrim maksimumin në çdo sfidë.

“Golden boy”. Kërkoheni nga dhjetëra skuadra europiane. Si po shkon merkatoja?
Jam shumë i lumtur që lista e klubeve që më duan është e madhe. Këtë e ka në dorë menaxheri dhe klubi. Nuk e di se si do të bien dakord. Për momentin jam këtu dhe do të jem pjesë e Tiranës për të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco