Politikë me hallet e sportit, loja e maskave të Fidelit!

Politikë me hallet e sportit, loja e maskave të Fidelit!

10:28, 21/10/2020

Pandemia nuk ka mbaruar dhe vala e dytë e infeksionit duket sikur ka mbërritur, aq sa për të detyruar qeverinë të miratojë aktin normativ për vendosjen me detyrim të maskës në publik, ndryshe do të bëheshim subjekt i një mase disiplinore si gjoba!

E ndërsa shteti ndjek një linjë rigoroze të huazuar nga jashtë sa i përket Covid-19 dhe bën thirrje për të ruajtur veten, dikush duhet të bëjë të kundërtën, pra duke e hequr maskën që e ka mbajtur deri tani!

Po flasim për negociatorin e zgjedhur nga qeveria, zoti Fidel Ylli, një njeri i sportit që ka marrë një flamur si në Olimpiadë, por njëherë e mban lart, njëherë e ul poshtë…

Ish-sportisti i njohur i konvertuar në politikan prej 7 vitesh, hyri me vrull në mesin e debatit mes Ligës Profesioniste të Futbollit dhe qeverisë, duke arritur të marrë flamurin e betejës dhe duke u emëruar negociator mes palëve.

Mirëpo, qëndrimet e tij publike gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë kontradiktore dhe me një inkoherencë të theksuar. Madje, ai kalon nga njëri skaj në tjetrin qoftë edhe brenda një interviste apo emisioni. Një herë thotë se është njeri i sportit, është mik me të gjithë presidentët e klubeve, mbështet kërkesat e tyre dhe se ai vetë ka më shumë kërkesa dhe pastaj papritur kërcen në anën tjetër të llogores dhe lëshon një lumë akuzash, duke baltosur të gjithë sportin, kërcënon dhe u bën presion klubeve që të tërhiqen nga kjo kauzë.

Një herë thotë se Kryeministri Rama nuk i kishte premtuar klubeve heqjen e tatim-fitimit mbi pagën, faljen e gjobave apo ligjin për sponsorizimin në mbledhjen e marsit 2019, e më pas ndryshon mendim dhe thotë se kreu i qeverisë i kishte bërë këto premtime, por në fillim tërmeti e më pas pandemia nuk e lanë që ai të merrej me hallet e sportit.

Në mëngjes shfaqet në krah të Ligës në takimet me zyrtarët e qeverisë dhe del e thotë se do të zgjidhen hallet e sportit, ndërsa në darkë anatemon Ligën dhe hedh tezën se shteti mund të shkrijë federatat.

Jo vetëm kaq, por Fideli ka deklaruar qysh në krye të herës se kjo është çështje që po përdoret për politikë e për zgjedhje. Në fakt, i vetmi që po bën me politikë me hallet e sportit dhe të futbollit është pikërisht ai, Fideli. Pasi ndenji në hije për katër vjet me afrimin e zgjedhjeve Fidelit i duhej të faktorizohej dhe përplasja e Ligës me qeverinë ishte mundësia më e mirë që ai të dilte fuqishëm në skenë për të përfituar në këtë mes.

Thonë se ka hall të marrë një mandat tjetër si deputet apo edhe post tjetër të lakmuar. Këtë nuk e dimë akoma, por një hall të madh e ka dhe që nuk ka të bëjë me bojkotin e kampionatit apo sportit, kjo është pak por e sigurt. Fakti është se Fideli bën politikë me sportin nga mëngjes deri në darkë.

Në vend që të merret me thelbin e çështjes, pra me kërkesat që ai i ka cilësuar të drejta, deputeti ish-sportist flet gjithë ditën anapulla. Në sytë e opinionin publik Fidel Ylli ka dalë gjithmonë i maskuar.

Versioni “origjinal” ende nuk është parë dhe jemi kurioz ta dimë nëse Fideli do vërtetë fundin e bojkotit të kampionatit apo thjesht plotësimin e tekave të tij personale si forcë autoriteti?

Të paktën të na thotë çfarë halli ka, se ndoshta edhe mund ta ndihmojmë….

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco