Vlerësimet për Strakoshën në fitoren e Lazios ndaj Dortmundit në Champions

Vlerësimet për Strakoshën në fitoren e Lazios ndaj Dortmundit në Champions

08:58, 21/10/2020

Zhgënjyese në kampionat, Lazio e zbulon në Champions versionin e saj më të mirë dhe ndoshta kjo ndeshje me Dortmundin mund të sjellë edhe kthesën e madhe.

Rikthimi i “Shqiponjës” pas 13 vitesh mungesë, përfundon me një fitore madhështore ndaj “bandës” gjermane, por edhe me Thomas Strakoshën protagonist absolut.

Mposhtet vërtet një herë nga Haaland, por mbron portën e tij dhe i jep kurajë Lazios që të fitojë 3-1.

Fitorja e bukur dhe bindëse e të kaltërve nisi në minutën e 6-të, me Imobilen që zhbllokon ndeshjen, ndërsa portieri Hitc devijon gabimisht në portën e tij, një goditje me kokë të Felipes.

Me avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë, Lazio e sheh në dishezë ndeshjen, sepse goli i Haaland në të 71-ën ishte vetëm një shkëndijë, duke qenë se pesë minuta më vonë, Akpa-Akpro risjell qetësinë duke dërguar shifrat në 3-1 dhe kaq mjafton që Lazio të rikthehet me shumë bujë në Champions.

Ndaj Dortmundit pati vend edhe për debutimin e bomberit kosovar, Vedat Muriqi, i cili zuri në minutën e 67-të vendin e Correas.

Vlerësimet për Strakoshën

“Eurosport” 6.5 – “Ndoshta Thomasi nuk mund të bëjë asgjë në rastin e golit të Haaland, të cilit i tha ‘jo’ në fillimin e pjesës së dytë, me një refleks fantastik, por e vërteta është që ky djalosh është një siguri e madhe për Lazion, edhe kur bëhet fjalë për gjëra të vogla”.

“Tuttomercatoweb” 7 – “Ishin të paktën 3 raste kur Strakoshës iu kërkua të bëhej protagonist absolut. Shqiptari përgjigjet ‘prezent’ dhe mban portën e blinduar. Te goli i Haaland nuk mund të bëjë asgjë”.

“Lalaziosiamonoi” 7 – “Pritja e tij me këmbë ndaj Guerreiros ishte jetike për fitoren, teksa mbrojtësi i Dortmundit ishte lëshuar si një tren në zonën e Lazios. Kjo pritje madhështore, kur rezultati ishte 1-0, i lejoi Lazios që të luante më e qetë dhe të gjente edhe golin e dytë Strakosha ndërkohë nuk mund të bëjë asgjë pas ‘predhës’ së Haalandit, por më pas devijon në goditje këndi një gjuajtje me kokë të norvegjezit, të cilën norvegjezi nuk e beson. Strakosha, saraçineska e Lazios”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco