Liga Profesioniste e Futbollit: Bojkoti do të vazhdojë, mund të ketë protesta

Liga Profesioniste e Futbollit: Bojkoti do të vazhdojë, mund të ketë protesta

17:18, 01/10/2020

Përse nuk po luhet futboll?! Kjo ishte tema që u diskutua në emisionin “60 Minuta” të gazetarit Arbër Hitaj në RTV SCAN.

Ekipet kryesore të Superligës së Shqipërisë tashmë kanë filluar një bojkot pa afat duke vendosur 4 kushte ndaj qeverisë, duke e kushtëzuar rifillimin e kampionatit me plotësimin e tyre.

Të ftuar në studio ishin Edvin Libohova, President i Ligës profesioniste të Futbollit, i cili tha se bojkoti do të vijojë, por ka gjithmonë hapësirë për negociata.

Klodian Muço, ekspert i ekonomisë tha se ligji i sponsorizimit ka efekt negativ në buxhetin e shtetit, sepse do të thotë devijim i fondeve nga arka e shtetit drejt sportit. Sipas tij ky ligj mund të mbetet i pa negociueshëm, ndërkohë që kërkesat e tjera mund të plotësohen pjesërisht.

Për situatën në të cilën gjendet sot futbolli shqiptar, ish-kapiteni i kombëtares Rudi Vata akuzon qeverinë se nuk ka investuar si duhet në sport.

Edvin Libohova

Cili është reagimi juaj nga fjalimi i zotit Rama, i cili tha që nuk ka hapësirë për negociata?

Duhet ta ndajmë problemin e kërkesave në dy grupe:

1. Ligji i sponsorizimit, i cili është edhe kërkesa kryesore që ka komunitetit i futbollit, këto propozime nuk përfshijnë vetëm futbollin, por të gjitha llojet e sportit.

2. Gjithashtu janë dhe kërkesat e tjera, të cilat duken si më specifike dhe më të negociueshme.

Sipas kryeministrit janë shumë dhjetë vite për shmangien nga tatimi mbi të ardhurat personale, por për ne janë pak dy vite për të formalizuar. Megjithatë këtu ka hapësirë për të diskutuar përsa i perket afatit për shmangien e tatimit mbi të ardhurat personale.

Cilat do të  jenë hapat që do të ndiqni në vijimësi?

Hapësira për negociata ka gjithmonë. Ne presim të kontaktojmë të ngarkuarin e kryeministrit, zotin Fidel Ylli, për të biseduar për gjetjen e rrugës së zgjidhjes në tavolinë. Caktimi i një proteste tjetër, me datë 10, që Liga ka vendosur sigurisht është e lidhur me zhvillimet e këtyre ditëve .Ndërkohë që ne mund të gjejmë kompromisin me të dërguarin e qeverisë dhe përfaqësuesit e tjerë.

A do të vijojë bojkoti?

Bojkoti do të vazhdojë dhe këtë javë. Sipas kalendarit të  parashikuar ka ndeshje të mërkurën dhe të dielën, por paralelisht ne nuk ndërpresim negociatën me perfaqësuesin e qeverisë. Përfaqësuesit do t’i kontaktojmë shumë shpejt.

Cilat janë ato katër pika që ju kërkoni nga qeveria që t’i plotësojë?

Ligji për sponsorizimet është më kryesori. Ajo çfarë ne kemi kërkuar është që nga tatim fitimi i kompanive që kanë fitim të tatueshëm vjetor mbi 20 milionë lekë të reja, deri në 30% të shkojë për të mbështetur sportet sepse kanë nevojë për t’u zhvilluar pasi kanë mbetur shumë mbrapa. Sipas kryeministrit 50% e fondit do të shkoje për përmirësimin e infrastrukturës sportive, 25% për sportet e fëmijëve dhe vetëm 25% mund të shkojnë për të mbështetur kostot administrative të klubeve.

Njëra pikë ishte përsa i përket TVSH. Qeveria miratoi para disa ditësh uljen e TVSH nga 20% në 6% për investimet në infrastrukturë. Ajo që kërkuam ne ishte që duke qenë se klubet sportive do te futen në një proces total privatizimi, para një muaji u miratua një ndryshim ligjor që brenda një viti bashkitë nuk do të jenë më aksionere në klubet sportive.

Duke u tërhequr bashkitë nga të qenurit aksionere të sporteve, ky boshllëk do të plotësohet nga vetë zotëruesit e klubeve dhe nga sponsorizimet.

Pika tjetër lidhet me disa kërkesa për të falur gjoba dhe kamatvonesa, jo detyrime, që disa klube kanë prej vitesh. Janë gjoba shumë të vjetra, të trashëguara nga vite më përpara.

Pra, kërkojmë që detyrimet e prapambetura të shlyhen në buxhetin e shtetit dhe gjobat e kamatvonesave të falen, siç ka ndodhur me energjinë elektrike.

Në  qoftë se nuk do të ketë miratim të kërkesave tuaja a mund të kemi një bojkot të gjithë kampionatit të futbollit shqiptar apo një ditë do të fillojë?

Nuk mund ta them unë këtë pasi unë jam përfaqësues i tyre dhe nuk marr vendime. Janë 10 presidentë të klubeve të Superiores që kanë marrë këtë vendim të cilët po ndjekin me dinamikë ecurinë e këtij procesi për të vendosur hap pas hapi. Nëse ne gjejmë një zgjidhje së bashku me qeverinë, kampionati fillon.

Klodian Muço

Pse është kaq e vështirë të ndryshojë ligji i sponsorizimit?

Në Shqipëri sporti konsiderohet e mirë publike edhe pse po tentohet të krijohet një treg i ri ku çdo skuadër të privatizohet, në të vërtetë është një treg aq i vogël sa asnjë pronar i klubit të futbollit nuk është se gjeneron fitime nga pas.

Përsa i përket ligjit të sponsorizimit bizneset shqiptare janë biznese relativisht të vogla dhe nuk  kanë interes të sposorizojnë sportin. Përveç pjesës së sponsorizimit komplet tregu shqiptar është  shumë i vogël saqë është e pamundur që një biznes të sposorizojë sportin.

Presidentët kërkojnë që në një farë mënyre ato benefite që biznesi në mënyrë indirekte nuk i deklaron , duan që ato fitime në mënyrë direkte ti pëfirtojnë vetë presidentët e klubeve të futbollit me qëllim që të shkojnë për aktivitetin e tyre.

Nëse do të ketë vullnet pozitiv për sa mund të mbyllet plotësimi i kërkesave?

Plotësimi kërkesave mund të mbyllet dhe brenda jave. Mesa pashë zoti Libohova përsa i përket heqjes së taksave për futbollistët ishte paksa i luhatshëm, i ngegociueshëm. Aspekti i dytë, i faljes së gjobave, mund të shikohet, të riklasifikohen gjobat dhe kamatvonesat që të falen pjesërisht siç janë bërë amnisti të ndryshme ndër vite. Kam përshtypjen që nuk është aspak e  komplikuar për shtetin  përsa i përket i milion eurove. Ndërsa për pjesën tjetër të gjitha klubet janë të dakord që pjesën tjetër, 3 milionë euro, t’i derdhin në bankën e shtetit.

Rudi Vata

Pse duket kaq i vështirë plotësimi i kërkesave dhe a iu duket normale që më në fund të kemi kërkesa nga futbolli shqiptar drejtuar qeverisë?

Kërkesat janë të sakta dhe klubet kanë shumë të drejtë që i kërkojnë sepse këto klube kanë probleme shumë të mëdha financiare. Dihet që futbolli shqiptar nuk është një makineri parash, por një futboll i varfër që mund të themi mirë që ka mbijetuar me ato kushte, të ardhura, marketing dhe rezultate që kanë pasur ekipet shqiptare në përgjithësi.

Di që çdo klub është pjesë e Federatës. FSHF është shteti për klubet në Shqipëri. FSHF ka një komitet që votohen nga klubet, ka një president që të merret me problemet e futbollit shqiptar. Në këtë moment besoj së kërkesat e tyre janë te gabuara sepse klubet nuk duhet t’i drejtohen shtetit me i sjell problemet e tyre. Klubet duhet t’i kërkojnë FSHF-së që kërkesat e tyre t’ia parashtojnë shtetit dhe luftën me shtetin duhet t’a bëje FSHF.

Pse qeveria nuk e mbështet aq sa duhet FSHF dhe sportin shqiptar?

Unë mendoj se qeveria nuk e ka mbështetur aspak , jo vetëm futbollin i cili është sporti më i privilegjuar në Shqipëri, por qeveria ka bërë një punë skandaloze në të gjitha sportet. Normalisht qeveria ka një buxhet të caktuar për sportin. Unë nuk jam ekspert i ekonomisë, por për një gjë jam i bindur që qeveria nuk e ka mbështetur sportin  madje ajo ka bërë shumë pak për të eliminuar elementë negativë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco