Skuadrat e Superiores zgjerojnë protestën ndaj qeverisë, bojkotohet edhe java e tretë

Skuadrat e Superiores zgjerojnë protestën ndaj qeverisë, bojkotohet edhe java e tretë

16:24, 27/09/2020

Bojkoti vazhdon, sikurse ishte paralajmëruar. Kategoria Superiore duhet të kishte nisur, teksa dje dhe sot të zhvilloheshin takimet e javës së tretë, por klubet nuk tërhiqen.

Sot në “Selman Stërmasi”, “Reshit Rusi”, “Niko Dovana” dhe “Adush Muça” janë rreshtuar lojtarët dhe akademitë, duke e bërë protestën edhe më masive.

Image

Sërish deklaratë dhe klubet presin që kërkesat e tyre të plotësohen për të luajtur, madje dy ditë më parë kanë dorëzuar edhe një relacion të zgjeruar dhe me argumente se pse qeveria duhet të plotësojë kërkesat që krijojnë një shtrat zhvillimi për sportin shqiptar.

Deri tani qeveria ka hezituar të plotësojë katër kërkesat e klubeve të Superiores për Ligjin e Sponsorizimit, uljen e TVSH-së në 6 %, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale, si dhe zerimin e tatimit mbi pagën për 10 vite e jo për dy.

Njoftimi i Ligës:

Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se në vijim të vendimit të marrë në mënyrë unanime nga klubet e Kategorisë Superiore bojkoti qëndron në fuqi dhe skuadrat do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave drejtuar qeverisë.

Sipas vendimit të marrë edhe në mbledhjen e fundit të Ligës, ditën e shtunë skuadrat e Apolonisë dhe Kastriotit kanë dalë në fushën e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit dhe i janë drejtuar qeverisë me një mesazh të lexuar nga kapitenët e të dy skuadrave. Më pas skuadrat janë kthyer në dhomat e zhveshjeve.

Protesta do të vijojë në të njëjtën formë edhe të dielën me katër çiftet e tjera të javës së tretë të Kategorisë Superiore sipas kalendarit, më konkretisht Teuta – Kukësi, Vllaznia – Tirana, Bylis – Skënderbeu dhe Partizani – Laçi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco