FSHF propozoi ndërtimin e 100 fushave të futbollit, Ministria e Sporteve refuzon projektin

FSHF propozoi ndërtimin e 100 fushave të futbollit, Ministria e Sporteve refuzon projektin

18:20, 10/08/2020

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka refuzuar propozimin e FSHF-së për ndërtimin e 100 fushave të futbollit në të gjithë vendin.

Nga burime të sigurta mësohet se në ministri ka mbërritur prej 10 muajsh (shtator 2019) një kërkesë e federatës për mbështetjen e projektit të 100 fushave. Pas heshtjes disamujore, federata i ka dërguar sërish në muajin shkurt një kërkesë të dytë për iniciativën në fjalë, por edhe këtë herë askush nuk ka denjuar të kthejë përgjigje. Pas kërkesës së tretë në muajin qershor, mësohet se ministria ka kthyer një përgjigje të sforcuar dhe refuzuese.

Mësohet Ministria e Sporteve e ka refuzuar propozimin e federatës me argumentin se nuk ka fonde për të financuar këtë projekt, pasi buxheti në dispozicion është fare i vogël. Është për t’u çuditur fakti se të gjitha njësitë e pushtetit vendor e kanë mirëpritur këtë projekt dhe janë shprehur të gatshme për të bashkëpunuar dhe për të financuar pjesën e tyre. Pasi janë njohur me këtë projekt madhor, të 61 bashkitë e vendit kanë pasur një reagim impresionues dhe shumë shpresëdhënës.

Por qeveria, nëpërmjet ministres së linjës Shahini, refuzon që të bëhet pjesë e këtij projekti, që ka një impakt të rëndësishëm social. Mësohet se kjo iniciativë synon një ndërhyrje themelore infrastrukturore dhe mund t’i japë një nxitje të ndjeshme futbollit të fëmijëve.

Një projekt që parashikon ndërtimin përmes bashkëfinancimit të fushave me bar natyral në të gjithë territorin e vendit nga FSHF, qeveria dhe pushteti vendor. Të njëjta burime bëjnë me dije se projekti që ka mbërritur në ministri është i detajuar sa i përket standardeve të fushave, kostove për çdo fushë dhe subjekteve që përmbushin kushtet për aplikim.

Gjatë 30 viteve të fundit shumë fusha futbolli janë shkatërruar apo kanë ndryshuar destinacion. Nëse situata nuk ndryshon e ardhmja e futbollit të bazës është seriozisht e rrezikuar. Nevojitet një ndërhyrje emergjente me politika zhvillimore veçanërisht në drejtim të investimeve për krijimin e terreneve të reja sportive në mënyrë që talentet e të ardhmes të kenë mbështetjen e duhur infrastrukturore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco