Inter eliminon Getafen nga Europa League dhe arrin në çerekfinalen, fiton edhe Man United

Inter eliminon Getafen nga Europa League dhe arrin në çerekfinalen, fiton edhe Man United

08:08, 06/08/2020

Sfida nisi mirë për spanjollët, që ushtronin një presion asfiksues me 6 futbollistë në gjysmëfushën zikaltër, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Shkëndijën e parë për skuadrën italiane e dha sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez, i cili goditi në pozicion të prirët me portën, por pa arritur të shënojë.

Goli për zikaltërit do të vinte pak çaste më vonë kur Romelu Lukaku pasi fitoi dyluftimin fizik me mbrojtësin kundërshtar, gjuajti saktë dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të milanezëve, të cilët në fillim të 45-minutëshit të dytë i shkuan shumë pranë golit, por roveshiata spektakolare e D’Ambrosios u grushtua bukur nga portieri i Getafes.

Getafe pati në minutën e 75-të një mundësi për të realizuar, kur pas një krosimi në zonë, Godin largoi topin me dorë dhe arbitri akordoi 11-metërsh me ndihmën e VAR-it. Nga pika e penalltisë shkoi sulmuesi veteran Molina, i cili gjuajti jashtë kuadratit.

Dhjetë minuta nga fundi i lojës Conte hodhi në fushë fantazistin danez Cristian Eriksen, i cili u shfaq menjëherë protagonist pasi u nis në thellësi ku mori një top nga Bastoni dhe kombinoi bukur me D’Ambrossion, ndërsa më pas topi i erdhi sërish në këmbë dhe me të majtën mposhti për herë të dytë portierin e Getafes.

Ky gol vulosi “vrau” shpresat e spanjollëve, të cilët lëshuan jo pak në lojën e tyre, ndërsa Interi pati edhe dy mundësi mjaft të mira për të shënuar.

Vërshëllima finale e arbitrit anglez Taylor la në fuqi fitoren 2-0 të Interit, që kualifikohet kështu në çerekfinale, ku do të gjejë përballë skuadrën që do të dalë nga çifti Bayer Leverkusen Rangers, me gjermanët super-favoritë, pasi kanë fituar 3-1 në sfidën e parë në Skoci.

Nuk pati histori në sfidën tjetër të mbrëmjes së sotme, atë mes Manchester United dhe Lask Linz. “Djajtë e kuq’ vinin pas fitores së thellë 0-5 në Austri dhe trajneri Solskjaer pati luksin të lërë pushim një pjesë të mirë të titullarëve në takimin e sotëm.

Pas një pjese të parë në barazim pa gola, ishte Lask që shënoi i pari në “Old Trafford” me anë të Weisinger, por vetëm pak minuta më vonë Jese Lingard riktheu baraspeshën, ndërsa në të 88-ën francezi Anthony Martial shënoi edhe golin e fitores.

Manchester United kalon kështu lehtësisht në çerekfinale, ku do të gjejë përballë danezët e Copenhagen, të cilët eliminuan mbrëmjen e sotme skuadrën turke të Basaksehir, pasi e mposhtën me rezultatin e thellë 3-0.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco