Europa League/ Kualifikohen dy skuadrat e para për në çerekfinale

Europa League/ Kualifikohen dy skuadrat e para për në çerekfinale

21:35, 05/08/2020

Europa League u rikthye në fushë, pas një ndërprerjeje disa mujore për shkak të pandemisë globale Covid-19, ndërsa u përcaktuan edhe dy skuadrat e para çerekfinaliste të këtij kompeticioni, që janë danezët e Copenhagen dhe ukrainasit e Shakhtar Donetsk.

Të parët pritën në “Telia Parken” turqit e Basaksehir, me misionin për të përmbysur humbjen minimale 1-0 në Stamboll dhe ia dolën më së miri, pasi arritën të triumfojnë me rezultatin e thellë 3-0.

Sulmuesi 21-vjeçar danez Jonas Wind ishte protagonist për Copenhagen, pasi zhbllokoi sfidën që në minutën e katërt, ndërsa në të 52-tën ekzekutoi saktë një 11-metërsh, duke dyfishuar avantazhin.

Vetëm 10 minuta më vonë, talenti Wind shërbeu saktë për Falk, i cili shënoi edhe golin e tretë, duke mbyllur llogaritë e kualifikimit dhe kualifikuar Copenhagenin në çerekfinale, ku do të përballet me Manchester United.

“Djajtë e kuq” po luajnë me Lask Linz në fazën e 1/8-ave në “Old Trafford’, por vetëm për një formalitet, pasi kanë fituar ndeshjen e parë në Austri me shifrat 0-5 dhe janë me të dyja këmbët në çerekfinale.

Po me shifrat 3-0 fituan edhe ukrainasit e Shakhtar Donetsk përballë gjermanëve të Wolfsburg, duke u kualifikuar për në fazën çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 5-1, pasi ia kishin dalë të triumfojnë 1-2 edhe në ndeshjen e parë.

Në “Olimpiyskiy Stadium” të Kievit, sfida mbeti e bllokuar në shifrat 0-0 për minuta të tëra, ndërsa të dy skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 futbollistë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Khocholava-s për vendasit dhe Brooks për miqtë.

Të tre golat Shakhtari i gjeti në fund të sfidës, pasi Moraes zhbllokoi takimin në të 89-ën dhe shënoi golin e tretë në të 93-tën, ndërsa mes dy golave të tij shënoi edhe Solomon.

Në çerekfinale skuadra ukrainase do të përballet me fituesen e çiftit Basel – Eintracht, ku të favorizuar janë zviceranët, pasi kanë triumfuar 0-3 në sfidën e parë në Frankfurt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco