Lajmi i fundit

EMRA/ Arrestime në Bashkinë e Tiranës, Këlliçi: Për dosjen ...

Lazio bën tifo kundër Romës dhe Napolit në Kupat e Europës

Lazio bën tifo kundër Romës dhe Napolit në Kupat e Europës

17:14, 04/08/2020

Kampionat më të çuditshëm se ky i sivjetshmi në Itali vështirë se mund të vijë, duke qenë se rregullat e kanë bërë të tillë, ndonëse ato kanë ndryshuar me kohë.

Gjithsesi, disa verdikte janë vërtet jo shumë të bukura, duke nisur për shembull nga fakti se me formatin e vjetër, atë të dy pikëve për fitore dhe jo 3 si pas vitit 1994, kampion do të ishte shpallur Interi dhe jo Juventusi…

Apo akoma më shumë, fakti që Milani, edhe pse është kualifikuar sipër Napolit në renditje, do i duhet ta nisë Ligën e Europës jo nga faza e grupeve, por nga turi i dytë eliminator, duke e nisur sezonin shumë shpejt.

Por ka edhe më keq se kaq, duke qenë se sivjet edhe vendi i katërt i renditjes, mund të mos vlejë kualifikimin direkt për në fazën e grupeve dhe Lazio me të drejtë dridhet.

Duke qenë se nga sezoni i kaluar UEFA ndryshoi rregullat, duke vendosur që mes katër ligave të para më të forta, 4 ekipet e para të kualifikohen direkt, ajo anuloi rregullin se një shtet mund të përfaqësohet me 5 skuadra.

Një përfaqësim i tillë do të vinte nëse një ekip që është jashtë katërshes fiton Champions-in, apo fiton të drejtën e grupeve të Ligës së Kampioneve si kampione e Ligës së Europës.

Lazio frikësohet, duke qenë se për këto dy trofe janë ende në lojë Napoli dhe Roma.

Të kaltrit ku luan Elseid Hysaj janë në 1/ 8-at dhe presin ndeshjen e kthimit me Barcelonën.

Ndërsa Roma në Ligën e Europës do të luajë me Sevillan, për 1/8-at me ndeshje teke.

Dhe rregullorja thotë kështu: Nëse Napoli fiton Champions-in, apo nëse Roma ia del të triumfojë në Ligën e Europës, Lazio e vendit të katërt do t’i hapë vend njërës prej të dyjave.

Prandaj, lacialët nga kjo javë do të nisin të bëjnë tifozllëk kundër Napolit dhe Romës, që të eliminohen sa më shpejt nga Europa, në mënyrë që kualifikimi i tyre në Champions, falë kampionatit, të mos vihet në rrezik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco