Egbo nuk mjaftohet me kampionatin, do edhe Kupën e Shqipërisë

Egbo nuk mjaftohet me kampionatin, do edhe Kupën e Shqipërisë

09:01, 24/07/2020

Emanuel Egbo nuk e fsheh ambicien për të drejtuar Tiranën edhe sezonin e ardhshëm.

Presidenti Refik Halili deklaroi pas fitimit të titullit se do të flasë me nigerianin pasi të mbyllet sezoni.

Bardheblutë mund të bëjnë “bis” këtë sezon, pasi do të luajnë në finale të Kupës së Shqipërisë përballë Teutës.

“A kam marrë oferta nga klube të tjera? Është diçka personale, nuk dua ta komentoj. Nuk ka mbaruar ende kampionati. Janë edhe 2 ndeshje për t’u luajtur, plus edhe finalja e Kupës. Për mua nuk është përmbushur ende misioni. Jemi në gjysmën e rrugës. Kur të fitojmë Kupën, atëherë do të kemi përmbushur çdo objektiv që është vendosur në fillim të sezonit.

A kam dëshira të qëndroj te Tirana? Në Shqipëri nuk ka trajner që nuk do ta drejtojë këtë ekip. Kemi punë për të bërë, kur të mbarojmë punën, do të shikoni lajmet në vazhdim. Nuk dua ta hap si temë fare, sepse e di si do të mbarojnë gjërat. Do të keni lajme në vazhdim”, tha tekniku i kampionëve.

Sa i përket sfidës ndaj Laçit, Egbo paralajmëroi se nuk do t’i kursejë futbollistët, edhe pse tashmë titulli është siguruar.

“Nuk ka kursim. Ka lojtarë që kanë pushuar dhe mund të pushojnë edhe ndaj Laçit. Jemi në rregull. Lojtarët që e shikoj që do të japim maksimumin, do të jenë në fushë nesër. Çdo lojtar është i rëndësishëm dhe duhet të japë maksimumin”, shtoi numri 1 i stolit bardheblu.

Në lidhje me rrezikun e një vendimi kundër Tiranës nga Etika në lidhje me sfidën e përfolur ndaj Bylisit, Egbo komentoi: “Nuk kam mendjen atje, sepse e di që i gjithë klubi i Tiranës ka qenë i pastër. Çdo gjë që kemi bërë që na fillimi deri në fund e kemi merituar. Që kur kam marrë drejtimin deri në fund e kemi fituar çdo gjë me djersën tonë dhe me punën e përbashkët që kemi bërë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco