E shpalli Tiranën kampione, flet Emanuel Egbo: Ishte si profeci, në janar fillova të besoja se mundesha

E shpalli Tiranën kampione, flet Emanuel Egbo: Ishte si profeci, në janar fillova të besoja se mundesha

08:34, 20/07/2020

Heroi është ai: Emanuel Egbo. I dërguar nga lart për të shpallur Tiranën kampione të Shqipërisë. Atë skuadër të cilën nuk e kishte shpallur dot Magani, Daja, Josa e me radhë. E mori skuadrën e Tiranës në një moment tepër të vështirë dhe e shpalli kampione. Nëse ka një njeri që meriton komplimentet më të mëdha për rikthimin e bardhebluve te trofeu, ai është padyshim trajneri Emanuel Egbo, i cili është njeriu që ndryshoi fatet e klubit më të titulluar në vend, duke u bërë trajneri i parë i huaj që fiton një titull kampion me Tiranën. Me një festë origjinale pas shpalljes matematike të titullit, Egboja flet për “Panorama Sport” pas arritjes së titullit të 25-të kampion, nga Olsi Avdiaj.

Emanuel, jeni trajneri i parë i huaj që u shpallët kampion me Tiranën. Cila është fjala e parë që ju vjen në mendje?

Zoti është i madh. Është një ndjenjë që nuk e shpjegon dot me fjalë për shumë, shumë arsye. Duke filluar nga gjërat që kemi bërë e kaluar këtë vit, prej nisjes së sezonit. Kishim 10 vite pa fituar kampionatin e me radhë. Ishte një ngarkesë e madhe. Realisht jam pa fjalë. Ju do të thoni sërish diçka për këtë që po them, por unë falënderoj Zotin që më ka ndihmuar. Dua të falënderoj të gjithë djemtë, nga i pari e deri te punëtori i fundit, që ka bërë gjithçka për këtë fitore.

Kujt ia dedikoni këtë titull, që normalisht është i veçantë edhe për ju si trajner?

Ia dedikoj Zotit, Zotit, Zotit. Më pas djemve të ekipit. Ia dedikoj gruas në shtëpi dhe menaxherit që më ka ndihmuar me besim e lutje që kjo të arrihej. Në fund ua dedikoj tifozëve të Tiranës, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. E meritonin dhe e meritojmë që të gëzojmë këtë titull. Shpresojmë që të marrim më të mirën edhe në vazhdim me këtë klub. 

Besove se mund të dilje kampion i Shqipërisë me Tiranën, ndonëse ju e morët skuadrën në një periudhë shumë të vështirë?

Kur e mora skuadrën, të them të vërtetën, mendoja vetëm për drejtimin për ato tri ndeshje dhe për të ndihmuar klubin. U thashë drejtuesve që të shohim këto tri ndeshje si do të shkojnë. Më pas, duke filluar që nga janari, e vendosa. E besova se mund t’ia dilja falë besimit, lutjeve dhe mesazhit të miqve në kishë. Shumica e tyre thoshin: Zoti të ka zgjedhur që ti duhet të drejtosh Tiranën. Ti duhet ta bësh atë punë. Nuk të ka zgjedhur rastësisht, por për të bërë gjëra të mëdha. Ishte si një profeci e realizuar për mua. Ky ishte thelbi i fjalëve të mia me Zotin. Është një profeci nga lart që është bërë e parë. Zoti e vendosi që të ishim kaq lart. Djemtë ndonjëherë nuk e kanë shpjeguar dot si ia kanë dalë në ndeshje të caktuara, duke përmbysur rezultate të mëdha. Ama, me ndihmën e Zotit, edhe sot (dje) ai ishte pranë nesh, duke na sjellë fitoren, e humbur Kukësi.

Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe më i lumtur i këtyre muajve që keni qenë trajneri i parë i ekipit?

Nuk besoj se kam pasur momente të vështira. Zoti ishte përpara, ne pas. Nëse kemi atë në krah, nuk ndodh gjë. Gjithçka e kam arritur, duke pasur pranë meje të gjithë, duke filluar nga Erjon Xhafa, Arbi Laçi, Jani Kostën e me radhë. Të gjithë kemi dhënë diçka për këtë titull dhe për këtë klub. Nuk e di, por ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, i çmendur. Ta mendosh sa të lumtur duhet të jemi të gjithë. Një vit, i cili në fund shpërbleu ata që kanë dhënë maksimumin në fund të kampionatit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco