Plani që ka Manchester City pas heqjes së dënimit nga CAS-i

Plani që ka Manchester City pas heqjes së dënimit nga CAS-i

16:40, 13/07/2020

Pasi fitoi pjesërisht gjyqin ndaj UEFA-s dhe njëkohësisht të drejtën për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, Manchester City është gati të bëjë një fushatë merkatoje mjaft të bujshme këtë vjeshtë.

Gjithçka pritet të nisë nga trajneri Pep Guardiola, i cili jo vetëm nuk do të largohet nga “citizens”, por mund të marrë një rinovim të kontratës që i përfundon në verën e ardhshme, madje me shifra më të mira ekonomike.

Më pas merkatoja do të përqendrohet në repartin e mbrojtjes, ku John Stones është tashmë i larguar, ndërsa edhe emra si Otamendi e Aymeric Laporte nuk kanë bindur plotësisht teknikun spanjoll, i cili gjatë këtij sezoni shpesh i ka besuar mesfushorit brazilian Fernandinho në repartin e prapavijës.

Objektivat e drejtuesve të “citizens” janë dy mbrojtës të kampionatit italian, senegalezi i Napolit, Kalidou Koulibaly, dhe slloveni i Interit, Milan Skriniar, ndërsa është thuajse e sigurt që të paktën njëri prej tyre do të luajë në “Etihad Stadium” sezonin e ardhshëm.

Napoli kërkon të paktën 80 milionë euro për Koulibaly, ndërsa Skriniar mund të largohet nga Interi për një shifër të përafërt me 60-70 milionë euro, megjithatë drejtuesit e klubit anglez mund t’i tentojnë edhe të dy, nëse arrijnë të përfshijnë ndonjë futbollist në marrëveshje shkëmbimi.

Një tjetër emër që mund të përfundojë në Manchester këtë verë është edhe ai i austriakut të Bayernit të Mynihut, David Alaba, i cili ka refuzuar të rinovojë me klubin bavarez dhe tashmë është në kërkim të sfidave të reja.

Alaba është një njohje e vjetër e Guardiolës dhe tekniku spanjoll do ta mirëpriste në “Etihad” pasi austriaku është një futbollist polivalent, që mund të luajë si në krah të mbrojtjes, ashtu edhe në qendër të saj e në mesfushë.

Duke qenë se është në vitin e fundit të kontratës me Bayernin, Alaba mund të largohet për një shifër jo më të lartë se 30-35 milionë euro, shifër kjo që nuk përbën aspak problem për klubin anglez, ashtu si edhe paga e pretenduar nga austriaku.

Sa i përket mesfushës “citizens” do të provojnë afrimin e emrave të rinj të talentuar, si Declan Rice i West Hamit dhe Sandro Tonali i Brescias, duke qenë se brazilianit Fernandinho kanë filluar t’i peshojnë vitet mbi supe dhe Guardiola kërkon freski përpara mbrojtjes.

Me lejimin e pjesëmarrjes në Champions, edhe emra si Sterling, Mahrez e De Bruyne, të cilët kishin shprehur dyshime për të ardhmen, është e sigurt që do të vijojnë qëndrimin në “Etihad Stadium” edhe për sezonet në vijim, duke premtuar për ndërtimin e një skuadre të frikshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco