'Keqardhje për derbin', Alban Hoxha: Mendonim për shokët e prekur me Covid19

'Keqardhje për derbin', Alban Hoxha: Mendonim për shokët e prekur me Covid19

09:20, 13/07/2020

Partizani erdhi me shumë probleme në derbi, ku vetëm disa orë para sfidës u konfirmua se 5 lojtarë janë me Koronavirus dhe për ta thelluar krizën, trajneri Adolfo Sormani dhe dy italianë të stafit nuk u paraqitën në stadium nga frika e infektimit.

Gjithsesi, të kuqtë bënë një paraqitje pozitive dhe në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, kapiteni Alban Hoxha pohoi se ndien keqardhje për mënyrën se si u iku fitorja nga duart.

Portieri e pranon se situata ishte konfuze në klub nga situata e krijuar, por lojtarët arritën të bashkoheshin dhe të bënin një paraqitje dinjitoze. Kapiteni e pranon se situata ndikoi në ndeshje, por edhe mosparaqitja e trajnerit Sormani i bëri që të ndihen keq para derbit. Hoxha pohon se stafi italian nuk u paraqit nga frika e virusit, por djemtë arritën ta tregojnë veten edhe pa trajner.

Ai tregon edhe arsyet pse kërkonin fitoren në derbi, ndërsa për të ardhmen e tij preferon të flasë pas përfundimit të këtij sezoni, ku kanë mbetur edhe 3 ndeshje.

A ju vjen keq nga mënyra se si ju iku nga duart fitorja në derbi?
Pa diskutim që ndjemë keqardhje, pasi të ndëshkohesh në atë minutë, nuk të vjen mirë. Megjithatë, mendoj se Partizani bëri lojë të mirë dhe kishim mundësi ta fitonim ndeshjen me pak kujdes, siç ishte rasti i Bardhit apo dy-tri mundësi të tjera. Ky është futbolli dhe derbi mbaroi në barazim.

Sa ndikuan ngjarjet e fundit, ku 5 lojtarë rezultuan me “COVID-19”?
Mendoj se ndikuan shumë, pasi situata nuk ka qenë e qetë në klubin tonë. Herë na shkonte mendja te çunat që patën probleme, herë te vetja jonë. Ka qenë një situatë konfuze deri para ndeshjes ku u mblodhëm të gjithë dhe erdhëm në stadium. Gjithsesi, kjo tregoi se ne i dhamë forca vetes dhe mendoj se arritëm të bëjmë një lojë të mirë në derbi.

Ju si çuna e mblodhët veten dhe u paraqitët, por stafi italian me në krye trajnerin Sormani nuk mbërritën në stadium…
Të them të drejtën, nuk është se isha shumë në dijeni për këtë pjesë para ndeshjes. Thjesht kam dëgjuar aty kur mbërritëm në stadium se ata kanë pasur frikën e Koronavirusit. Është zgjedhja e tyre dhe nuk mund të komentoj se çfarë është bërë dhe si kanë vepruar.

A u ndjetë keq kur mësuat se trajneri nuk do të paraqitej në derbi?
Normalisht që ndihesh keq, pasi ai është timonieri. Kur nuk është trajneri, ndoshta edhe ekipi çorientohet. Megjithatë, ne jemi lojtarë profesionistë dhe në grup kemi individë me eksperiencë, kështu që u bëmë të gjithë bashkë. Ndaj, në një ndeshje edhe pa trajner arrin t’ia dalësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco