Sarri citon Guardiolan: Atalanta është si të shkosh te dentisti

Sarri citon Guardiolan: Atalanta është si të shkosh te dentisti

18:14, 10/07/2020

Vetëm 4 ditë pas humbjes me Milanin në “San Siro”, ku u mposht 4-2, pasi kishte kaluar në avantazh të dy golave, Juventusin e pret një tjetër përballje e vështirë, ajo ndaj skuadrës më në formë të momentit në Itali, Atalantës.

Bergamaskët e drejtuar nga Gian Piero Gasperini kanë arritur një nivelspekltakolar loje dhe jo më kot numërojnë plot 9 fitore radhazi, të cilat e kanë ngritur me meritë në vendin e tretë të renditjes, ndërsa në “Allianz Stadium” do të luajnë për “notën 10”.

Trajneri i Juventusit Maurizio Sarri doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku përdori fjalët e Guardiolës për të përshkruar Atalantën dhe kërkoi nga të tijtë që të reagojnë për t’u rikthyer te suksesi.

A është një sfidë për titull, kjo ndaj Atalantës?

Është një fazë shumë e rëndësishme e sezonit dhe Atalanta po kalon një moment të shkëlqyer. Do të doja të citoja Guardiolën për të përshkruar ata, i cili thoshte: Të luash me Atalantën është si të shkosh te dentisti. Mund të shkojë çdo gjë mirë, por të mbetet gjithmonë ajo ndjesia e keqe. Është një kundërshtar i vështirë për t’u përballuar, pasi luajnë shpejt dhe kanë kundërsulme vrasëse.

Si e komentoni shortin e Champions-it?

Nuk dua të komentoj, pasi nuk më intereson. Momentalisht duhet të përqendrohemi te sfidat e kampionatit dhe më pas të mendojmë për Lyonin.

A ndikoi mungesa e Dybalës në humbjen ndaj Milanit?

Është e vërtetë që Paulo po kalon një moment shumë të mirë dhe na ka ndihmuar shumë, por me atë “black-out” që kaluam, vështirë se mund të bënte diçka.

Çfarë u keni kërkuar lojtarëve që të bëjnë më mirë në sfidat e ardhshme?

Do të doja më shumë vazhdimësi dhe më shumë rregull si skuadër. Vuajmë momente të caktuara, por duhet të shohim përpara dhe të përmirësohemi.

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Ndaj Milanit morëm të dhëna shumë të mira, pasi lojtarët vrapuan shumë dhe luajtën në ritme të larta. Normalisht që ndeshja na ndryshoi pas asaj penalltie, por nuk ndikoi aspak gjendja fizike.

Si është gjendja e Alex Sandros dhe Chiellinit?

Alex Sandro u dëmtua 10 ditë më parë dhe rikthimi i tij është shumë i shpejtë. Mund të luajë edhe nga fillimi nesër, ndërsa për Chiellinin duhet të bëjmë kujdes, pasi ka kohë pa luajtur dhe nuk është stërvitur aq sa duhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco