Atalanta vijon ecurinë pozitive, kalon edhe Napolin

Atalanta vijon ecurinë pozitive, kalon edhe Napolin

22:01, 02/07/2020

Në kuadër të javës së 29-të në Serie-A, Atalanta priti Napolin në stadiumin “Atleti Azzurri d'Italia”.

Djemtë e Giann Piero Gasperinit vijuan ecurinë pozitive, teksa mbrëmjen e sotme ka fituar ndeshjen e katërt në po kaq të luajtura që prej rifillimit të kampionatit, duke blinduar vendin e katërt që të çon në Ligën e Kampionëve.

Zikaltrit arritën të dilinin triumfator nga sfida me napoletanët, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0.

Sfida ishte e balancuar, me Napolin që pati një epërsi të lehtë në kontrollin e topit, ndërsa Atalanta zbriste rrezikshëm në kundërsulm, duke vënë në vështirësi prapavijën e skuadrës së Gattusos.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa përveç rasteve të pakta, vlen të përmendet edhe dëmtimi i rëndë i portierit kolumbian Ospina, i cili la fushën me barelë, për t’u zëvendësuar nga italiani Meret.

Në fillim të pjesës së dytë Pasalic u harrua i vetëm në zonë dhe mori një krosim perfekt nga kapiteni Gomez, ndërsa me kokë nuk e pati të vështirë të thyejë portierin Meret dhe t’i japë avantazhin Atalantës.

Vetëm pak minuta më vonë, pas një aksioni sërish nga krahu i djathtë i sulmit, Atalanta gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me Robin Gosens, i cili u gjend në vendin e duhur dhe mposhti Meret me një diagonale perfekte.

Me këtë fitore Atalanta u ngjit në kuotën e 60 pikëve, vetëm 4 më pak se Interi që mban vendin e tretë, por plot 12 më tepër se Roma që pozicionohet poshtë saj, në vendin e pestë të renditjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco