Bayern Munchen firmos parakontratë me mbrojtësin 18-vjeçar të PSG-së

Bayern Munchen firmos parakontratë me mbrojtësin 18-vjeçar të PSG-së

11:56, 25/06/2020

Tanguy Kouassi ka qenë surpriza e Paris Saint Germain këtë sezon, pasi mbrojtësi 18-vjeçar, i konsideruar edhe si pasardhës i denjë i Marcel Desailly, ia ka dalë të lërë gjurmë në ndeshjet që është aktivizuar.

Me një shtatlartësi prej 187 centimetrash, Kouassi ka një prezencë për t’u admiruar në fushën e lojës, ndërsa sensi i pozicionit dhe loja e mirë me këmbë bëjnë që të luajë shumë mirë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe më i avancuar, në mesfushë.

Të shumtë ishin ata në Paris, që e cilësonin si zëvendësuesin ideal të Thiago Silvës, i cili do të lërë kryeqytetin francez këtë verë, por duket se Tanguy Kouassi ka vendosur të largohet nga kampionati francez në fund të këtij sezoni.

Si një lojtar i lirë, që pritet të jetë pas 30 qershorit, mbrojtësi mësohet se ka nënshkruar një parakontratë me gjigantët gjermanë të Bayernit të Mynihut, ndonëse edhe Arsenali është prej disa muajsh në gjurmët e tij.

Klubi gjerman është treguar më i shpejtë në lëvizjet e tij dhe ka bindur mbrojtësin të transferohet në “Allianz Arena”, ku e pret një ambient i qetë dhe kushtet ideale për të fituar pjekurinë e nevojshme.

Nëse transferimi do të mbyllet me sukses, atëherë Kouassi do të largohet me kujtime mjaft të bukura edhe nga Parisi, pasi u bë lojtari më i ri që debutoi me fanellën e PSG-së në Ligën e Kampionëve, gjë që e bëri ndaj Galatasarayt, kur nuk kishte mbushur akoma 18 vjeç.

Gjithashtu mbrojtësi i talentuar, i cili është pjesë e akademisë së klubit francez që prej 2013-ës, ka shënuar edhe golin e 4000-të në historinë e PSG-së, pikërisht në një sfidë kupe ndaj Reimsit, kur skuadra e Tuchel triumfoi 3-0.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco