Viti jubilar për 90-vjetorin e krijimit të FSHF, ja ndyshimet që do të ndodhin në fanellat e klubeve shqiptare

Viti jubilar për 90-vjetorin e krijimit të FSHF, ja ndyshimet që do të ndodhin në fanellat e klubeve shqiptare

11:57, 07/06/2020

Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur një program të veçantë për të festuar vitin jubilar të 90-vjetorit të krijimit të kësaj federate.

Më datën 6 qershor të vitit 1930, Mbreti Zog firmosi Dekretin Mbretëror për krijimin e Federatës Sportive, nën kujdestarinë e Entit “Djelmënija Shqiptare”. Është ky moment historik që fikson edhe startin e rrugës së gjatë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Do të zhvillohen ceremoni festive, ngjarje, me aktivitete për rikujtimin e figurave sportive, gjatë gjithë vitit. Kupa dhe aktivitete me emra të shquar të futbollit shqiptar në vite, do të organizohen në çdo kënd të Shqipërisë.

Për historinë e futbollit shqiptar do të organizohen takime në Universitete të Sportit dhe nëpër shkolla, ku personalitete të këtij sporti ndër vite do të referojnë. Do të organizohen aktivitete të ndryshme, me qëllime sociale dhe sesione shkencore për të risjellë në vëmendje personalitetet, që kanë dhënë kontribut të vyer për futbollin ndër vite, por edhe ngjarjet historike.

Gjithashtu, Federata ka nisur tashmë prej disa ditësh të përkujtojë në kanalet zyrtare në rrjetet sociale data historike, figura të futbollit dhe ngjarjet të tjera ndër vite, duke publikuar fakte dhe pamje historike të rralla nga arkivat.

Federata e Futbollit ka marrë masa që të gjitha klubet të cilat marrin pjesë në garat zyrtare të vendosin në fanellat e fubollistëve të tyre një logo të krijuar posaçërisht për të përkujtuar 90-vjetorin e themelimit të FSHF-së. Edhe futbollistët dhe stafet e ekipeve Kombëtare do të mbajnë në uniformat e tyre logot e 90-vjetorit në çdo dalje publike apo event.

Logot e 90-vjetorit të jenë prezente në çdo ndeshje apo event të organizuar përgjatë gjithë këtij viti jubilar.

Po këtë vit është programuar edhe hapja për publikun i muzeumit të futbollit, në stadiumin “Air Albania”, që do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë për të gjithë futbolldashësit.

Po kështu po punohet për përgatitjen dhe inagurimin një tjetër muzeumi, në “Shtëpinë e Futbollit”, që do të jetë një risi tjetër e jubileut.

Federata e Futbollit ndihet krenare për historinë 90-vjeçare dhe uron të gjithë komunitetin e futbollit GËZUAR 90-VJETORIN!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco