Pandemia e kthen futbollistin egjiptian në një shitës rruge

Pandemia e kthen futbollistin egjiptian në një shitës rruge

17:50, 29/05/2020

Ashtu si miliona njerëz në botë edhe futbollistët u prekën nga pandemia e koronavirus. Duke lënë mënjanë futbollistët e mbivlerësuar, të superpaguar në ligat më të rëndësishme të rruzullit janë të shumtë rastet e lojtarëve që gjatë kësaj periudhe janë shtrënguar për të bërë punë të tjera, për të mbijetuar në këto kohë vërtet shumë të vështira.

Shembulli tipik është pikërisht rasti i mbrojtësit Mahrous Mahmoud, që aktivizohet në radhët e klubit Beni Suef, ekip që luan në Premier Ligën B të Egjiptit. Gjatë kësaj periudhe qendërmbrojtësi duhet të ishte në fushën e lojës për të ndihmuar skuadrën e tij, që kryeson Grupin A në Kategorinë e Dytë të futbollit egjiptian të klubeve, megjithatë ashtu si edhe miliona bashkëkombës në vendin e tij, është prekur në mënyrë të pashmangshme nga kriza e thellë që ka shkaktuar pandemia e virusit COVID-19.

Mahmoud gjatë kësaj kohe u shtrëngua për të punuar në një supermarket të mbipopulluar, për të fituar diçka, madje që nga ajo kohë është aktivizuar gjithashtu edhe si ekspert futbolli në kanalin vendas “Extra Neës”. Përpara se të pllakoste pandemia e koronavirusit Mahrous Mahmoud përfitonte afërsisht rreth 200 dollarë në muaj, duke luajtur për ekipin e tij, por gjithashtu merrej edhe me punë të tjera të pjesshme për të rrumbullakosur të ardhurat e tij mujore.

Ndeshjet në ligën e dytë u ndërprenë në mesin e muajit mars dhe burimi kryesor i të ardhurave të mbrojtësit shteroi. Qeveria egjiptiane zbatoi masa tepër të rrepta të izolimit, duke ndaluar qarkullimin në kohën e muzgut dhe mbyllur kafet, baret, qendrat e mëdha tregtare apo edhe dyqanet e ndryshme, si masa parandaluese për përhapjen e virusit. Drejtuesit e klubit Beni Suef i paralajmëruan futbollistët e ekipit për të respektuar masat shtrënguese, duke qëndruar në shtëpi, por Mahmoud nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të dilte jashtë për të siguruar paratë e nevojshme, për të mbajtur familjen e tij të përbërë nga tre pjesëtarë, në mënyrë që familjes së tij të mos t’i mungonte asgjë.

Ashtu si shumë të tjerë në Zonën e Nilit, në Rajonin Assuit, Mahmoud u shtrëngua për të bërë çdo punë dhe ai filloi të shërbejë në një market në Manfalut, një qytet rreth 350 kilometra në jug të Kairos, kryeqytetit të vendit, market që qëndroi i hapur gjatë kohës së koronavirusit, duke tregtuar artikuj të ndryshëm ushqimorë. Për të kaluar këtë krizë ai është marrë me shitjen e petullave apo ëmbëlsirave tradicionale vendase, përgjatë rrugëve të Mafalutit, ndërsa pas hapjes së pjesshme dhe lehtësimit të masave u kthye në qytetin e tij të lindjes.

Përpara krizës Mahmoud deklaroi se punonte në ndërtim, ku paguhej me 7 dollarë në ditë, por më pas ai ndihej me fat nëse punonte qoftë edhe dy ditë në javë. Mahrous Mahmoud pati vërtet fat dhe u punësua si shitës ambulant në një pastiçeri, e në këtë mënyrë është duke mbajtur familjen e tij të përbëra nga babai, nëna dhe i vëllai, familje që jeton në një shtëpi 3-katëshe, brenda një dhome të vetme, me shpresën se do të mund të kalojë këtë periudhë të vështirë, në mënyrë që të mendojë edhe për të organizuar dasmën e tij, muajin e ardhshëm, sipas datës së planifikuar.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco