Jep dorëheqjen menaxheri i kombëtares italiane

Jep dorëheqjen menaxheri i kombëtares italiane

16:33, 24/05/2020

Gabriele Oriali ka vendosur të heqë dorë nga pozicioni i menaxherit të skuadrës kombëtare italiane për të bërë të njëjtën punë, por tashmë vetëm te skuadra e Interit, ku punon që prej verës së kaluar.

Oriali u rikthye te zikaltrit verën e kaluar me kërkesë të Antonio Contes dhe Giuseppe Marottës, ndërsa vendosi me marrëveshje që të vijonte të mbante postin e menaxherit të kombëtares italiane deri në fund të Kampionatit Europian 2020.

Por duke qenë se Euro 2020 u spostua për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit, Oriali vendosi të japë dorëheqjen, duke i kursyer Federatës Italiane të Futbollit edhe dy paga, pasi ishte nën kontratë deri në fund të muajit korrik.

Gjesti i Orilalit u vlerësua shumë nga klubi zikaltër, që tashmë do të ketë me kohë të plotë në shtëpi menaxherin e skuadrës, por edhe nga drejtuesit e Federatës Italiane, që nuk do të jenë të detyruar të paguajnë një punë që nuk do të bëhet.

Megjithatë vlen të theksohet se tekniku i kombëtares italiane, Roberto Mancini, ka vlerësuar jo pak punën e Orialit, ndaj u ka kërkuar drejtuesve të Federatës që ta kontraktojnë atë edhe për Euro 2021-shin e Botërorin e 2022-shit.

Gjithsesi duket se vetëm dëshira e Mancinit nuk mjafton, pasi fillimisht duhet të japë miratimin Interi, që Oriali të mund të punojë në të njëjtën kohë edhe në kombëtare edhe te zikaltrit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco