Rregullat e Serie A/ Stadiumet do të ndahen në 3 zona

Rregullat e Serie A/ Stadiumet do të ndahen në 3 zona

20:04, 21/05/2020

Liga e Serisë A ka përcaktuar linjën e rregullave që do të ndiqen për rifillimin e mundshëm të kampionatit.

Këto rregulla përfshijnë që nga kujdesi që duhet të tregohet në dhënien e intervistave, deri tek numri i të pranishmëve në stadium.

Duke u nisur nga kjo e fundit, rregulli i ri përcakton që stadiumi do të ndahet në tre zona; në zonën teknike, shkallët dhe në zonën e jashtme të stadiumit.

Në total në stadium do të lejohen të hyjnë deri në 300 persona, maksimumi 100 persona për çdo zonë.

Rregullat përcaktojnë qartë se sa persona do të jenë të pranishëm në orare të ndryshme dhe në zona të ndryshme në stadium.

Kështu gjatë zhvillimit të ndeshjes në fushë do të jenë 22 lojtarë të formacionit, 22 lojtarët rezervë e 20 anëtarë të stafit, 4 pritës të topave si dhe 10 gazetarë në shkallët e stadiumit.

Mbërritja në stadium e lojtarëve do të bëhet në dy mënyra; me autobus për skuadrat mike, ndërsa lojtarët e ekipit vendas me makina personale.

Natyrisht që mbërritja e skuadrave apo arbitrave në stadium duhet të ndodhë në orare të ndryshme.

Në dhomat e zhveshjes nuk do të lejohen kamera apo gazetarë, ndërkohë që lojtarët e formacionit do të veçohen nga ata të pankinës.

Hyrja në fushë e skuadrave gjithashtu do të bëhet në kohë të ndryshme, ndërkohë që nuk do të ketë fëmijë që do ti shoqërojnë apo shtrëngim duarsh me kundërshtarin.

Një rregull i ri është edhe ndalimi i protestave ndaj arbitrave në një distancë më të afërt se 1.5 m.

Sa i përket intervistave në pushim të ndeshjes apo në përfundim të saj, ato duhet të bëhen duke ruajtur distancën e nevojshme dhe me mikrofonë me stativë.

Gjithashtu asnjë person nuk do të lejohet që të futet në dhomat e arbitrave dhe të dhënat e ndeshjeve apo skuadrave do të vendosen jashtë saj.

Seria A ende nuk ka një datë zyrtare për rikthimin në fushë, me 13 apo 20 qershorin që shihen si datat më të mundshme.

Gjithsesi në rast të rifillimit, të gjithë aktorët do të duhet të ndjekin me përpikmëri të gjitha rregullat e sipërpërmendura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco