Bogdani elozhe për Marash Kumbullën: Ka mundësi të shkëlqejë në të ardhmen

Bogdani elozhe për Marash Kumbullën: Ka mundësi të shkëlqejë në të ardhmen

21:00, 26/04/2020

Është golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare, ka patur një karrierë të gjatë në Itali me skuadra të tilla si: Reggina, Salernitana, Verona, Siena, Chievo, Livorno dhe Cesena. 

Pasi vari këpucët në gozhdë, Erjon Bogdani nuk e braktisi botën e futbollit. Punoi si asistent teknik i Gianni De Biasit te Shqipëria, ndërsa nga viti 2016 deri në 2018 ishte trajner i U-19. 

I intervistuar nga “FCinter1908”, ish-sulmuesi kuqezi dha opinionin e tij për futbollistët shqiptarë të perspektivës që luajnë në Itali. 

Një nga emrat më të përfolur në tregun italian është ai i Marash Kumbullës, të cilin Bogdani e njeh shumë mirë, pasi e ka stërvitur te të rinjtë e Shqipëri.

A e prisnit që ai të kishte një ndikim kaq të rëndësishëm në Serinë A?
Sinqerisht nuk e prisja që të bënte kaq mirë. Meritë është e tij, u vu menjëherë në dispozicion dhe ka dëshmuar se është një lojtar i rëndësishëm edhe në Serinë A. Është normale që pas ndeshjeve që zhvilloi të binte në sy. Ai është një djalë shumë i ri, i vitit 2000, mund të rritet shumë dhe të bëjë mirë në të ardhmen.

Cilat janë cilësitë e tij më të mira?
Është një djalë i gjatë, për mendimin tim është një mbulues i shkëlyer dhe godet mirë me kokë. Në disa ndeshje miqësore me Kombëtaren ka shënuar disa gola. Ajo që më ka habitur më shumë është se ai po luan edhe në Serinë A si veteran. Duke qenë shumë i gjatë, mund të mendoni se ai nuk ka shpejtësinë që i nevojitet kundër kundërshtarëve të shpejtë, por ai ka aftësinë ta kuptojë mirë aksionin dhe të arrijë gjithmonë para të tjerëve. Të mos harrojmë se po flasim për një djalë të vitit 2000, i cili ka akoma shumë për të përmirësuar dhe treguar.

Po flitet për interesimin e disa skuadrave të mësha për Kumbullën, përfshirë Interin: mendoni se ai tashmë është gati të bëjë hapin në një klub të madh?
Mund të them që këtë vit ai luajti vërtet mirë me Veronën. Nëse shumë skuadra e dëshirojnë, do të ketë një arsye, plus datëlindja së tij e bën edhe më tërheqës. Në futboll duhet ta tregosh veten gjithmonë, lojë pas loje. Për mendimin tim, për aq sa ka treguar, është e drejtë që është në orbitën e skuadrave të shkëlqyera.

Një tjetër talent i shkëlqyer shqiptar, që ka kaluar nga Interi, është Rey Manaj. Çfarë i ka munguar për ta dëshmuar veten?
Po flasim për një djalë që ka shumë cilësi, ka talent të luajë dhe të bëjë shumë mirë në Kombëtare. Sjellje të caktuara nuk e kanë ndihmuar, por ai është akoma një djalë shumë i ri. Ai gjithashtu po përmirësohet nga ky këndvështrim. I ka munguar pak vazhdimësia, por me siguri nuk i mungon talenti, cilësia, forca: ai është datëlindjes ‘97, me siguri mund të bëjë shumë mirë në të ardhmen.

Vitet e fundit, disa futbollistë shqiptarë janë afirmuar në Evropë: kush do të jetë i radhës?
Kur flasim për djem të rinj, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm, ekziston rreziku që t’u rritet mendja. Ata gjithmonë duhet të demonstrojnë vlerën e tyre që të spikatin. Ai që mund të arrijë në Serinë A është Erald Lakti. Ka luajtur me të rinjtë e Fiorentinës, ndërsa këtë vit shkoi në huazim te Gubbio. Për mendimin tim, ai mund të bëjë shumë mirë, mund të luajë të gjitha rolet e mesfushës. Nga këndvështrimi im, ai ka gjithçka për të luajtur në Serinë A. Pastaj ka djem të tjerë që premtojnë, por ndryshimin gjithmonë e bën koka: kalimi nga ekipi i të rinjve te skuadra e parë është gjithmonë faza më e vështirë, aty mund të shihni nëse dikush mund të bëhet një lojtar i vërtetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco