Prandeli: Po jetojmë me ankth, të vdekurit janë shumë më tepër

Prandeli: Po jetojmë me ankth, të vdekurit janë shumë më tepër

20:55, 10/04/2020

Çezare Prandeli, trajneri i njohur i cili ka drejtuar edhe përfaqësuesen italiane të futbollit, ka shpërthyer në akuza mbi mënyrën se si është reaguar ndaj Koronavirusit. 
Fillimisht, ai ka akuzuar autoritetet se nuk kanë bërë si duhet punën e tyre dhe se po gënjejnë pasi bilanci është më tragjik sesa thuhet.
“Jetoj me dhimbje, shqetësim dhe ankth. Sa herë që më vjen një telefonatë nga Orzinuovi (qyteti ku banon), jam gjithmonë i shqetësuar, isha me fat se u largova 2 ditë para se të mbyllej gjithçka dhe tani jam në Firence. Në Orzinuovi ka shumë të vdekur dhe kam dëgjuar histori të tmerrshme, mendonim se mes qytetit dhe Bergamos do të mbyllej gjithçka por nuk ndodhi. Kur arrin një cunami i tillë, vështirë se arrin të organizosh gjithçka. 

Ka histori me të vdekur që nuk regjistrohen? Po, absolutisht po. Të vdekurit janë shumë më tepër”, tha trajneri italian i cili mendon se ky është një mesazh i qartë për njerëzimin.

“Nëse nuk kujtojmë atë që po kalojmë, do të thotë që nuk kemi të ardhme, që duhet të shuhemi. Mendimet shkojnë te e ardhmja, si do të jetë për ne dhe fëmijët tanë. Gjëja e pabesueshme është se për herë të parë nuk ka smog, detet janë të pastra, ndoshta është një mesazh nga natyra që të rifillojmë nga këtu. Do ta nisja nga shkolla, edukimi, kërkimi… këto janë investimet që ne italianët duhet të bëjmë”, insiston Prandeli që mendon se edhe futbolli duhet të përshtatet.

“Për mua futbolli është një punë dhe pasion. Duhet të transmetojë gëzim dhe njerëzit nuk më duken të përgatitur për këtë. Nga spitali në varrezë e pastaj stadium, më duket e ekzagjeruar. Do të duhet të rifillojmë, por si fillim me dyer të mbyllura, në këtë moment prioritetet janë të tjera. U vonuan edhe të ndaleshin. Deshën të bënin Juve-Inter me dyer të hapura, pa e kuptuar se po luhej me shëndetin e njerëzve”, ishte akuza e ish-trajnerit të Italisë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco