Gjasula: Kombëtarja ka ndryshuar, tani mund të fitojmë edhe me ekipe të mëdha

Gjasula: Kombëtarja ka ndryshuar, tani mund të fitojmë edhe me ekipe të mëdha

18:45, 06/04/2020

Iu bashkua Kombëtares shqiptare një vit më parë dhe Klaus Gjasula rezultoi një zbulim, pasi bindi që në performancën e parë dhe arriti të shndërrohet në një titullar fiks në formacionin e Edi Rejës.

Aktualisht pjesë e Paderbornit në Bundesligën e dytë gjermane, mesfushori kryeqytetas ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në Supersport, ku foli për ditët pa futboll dhe planet për të ardhmen.

Si po shkojnë ditët e izolimit?
Sot filluam stërvitjen e parë në fushë, me një grup me nga 6 lojtarë. Të distancuar nga njëri-tjetri dhe kryejmë ushtrimet. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe shumë shpejt të zbresim në fushë për ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Thuhet se babai juaj ka pasur ëndërr që njëri prej djemve të tij të luajë për Tiranën…
Babi ka qenë një tifoz i madh me Tiranën, deri tani nuk mund t’ia plotësoj ëndrrën, por nuk i dihet në të ardhmen.

Si jeni ndjerë këtë sezon te Paderborn, në Bundesligë?
Të luash në Bundesligë ka qenë një ëndërr për mua që i vogël. Është diçka shumë e bukur, që edhe lojtarët që vijnë nga një kategori më poshtë mund t’ia dalë edhe në Bundesligë.

A mund ta gjente veten Klaus Gjasula te Dortmundi?
Unë jam realist dhe është e vështirë që të luaj për Dortmundin në sezonin e ardhshëm. Do ishte bukur të luaja për Hertan e Berlinin, por nuk e di se çfarë do ndodhë në të ardhmen.

Në cilin kampionat mendoni se përshtateni më mirë?
Me stilin që kam, e shikoj më shumë veten në Angli sesa në Gjermani. Nëse do ndodhte të kaloja aty është shumë bukur, do të ishte shumë bukur, më pëlqen shumë të luaj aty.

Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares shqiptare?
Në vitet e fundit Kombëtarja ka ndryshuar stil dhe fytyrë. Ka shumë lojtarë të mirë dhe me talent. Besoj se tashmë mund të fitojmë edhe me ekipet e mëdha, që tani duhet të na shikojnë ndryshe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco