I vetmi vend që nuk e ka ndërprerë kampionatin e futbollit

I vetmi vend që nuk e ka ndërprerë kampionatin e futbollit

10:28, 30/03/2020

Edhe pse pothuajse e gjithë Evropa është “izoluar” nga Koronavirusi, duke përfshirë edhe futbollin, për të parandaluar përhapjen edhe më të madhe të virusit COVID-19, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Bjellorusinë.

Premierliga në Bjellorusi po vazhdon të luhet si normalisht, pavarësisht pandemisë që e ka kapluar globin, e posaçërisht Evropën.

Sezoni i ri i kampionatit elitar në Bjellorusi filloi më 19 mars, dhe ndeshjet nuk janë ndalur apo pezulluar.

Por, pse po vazhdon kampionati në Bjellorusi, pavarësisht Koronavirusit?

Premierliga bjelloruse, e njohur ndryshe si "Vysheyshaya Liga", është kampionati i vetëm i madh i futbollit, që po vazhdon të zhvillohet në Evropë.

Si rezultat i të vazhduarit të kampionatit, Federata e Futbollit në Bjellorusi u ka shitur të drejtat televizive 10 shteteve, përfshirë këtu Rusinë, Izraelin dhe Indinë.

Një Bjellorusi, personat mbi 65 vjeç po këshillohen të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa nxënësit janë autorizuar të mos shkojnë në shkollë.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka theksuar se e gjitha kjo vazhdon të mbetet një biznes, teksa  shumica e Evropës është izoluar, duke mbyllur edhe kufijtë.

“Kjo psikozë ka paralizuar ekonomitë e vendeve pothuajse çdokund në botë. Jeta po vazhdon. Nuk mund ta ndalësh atë”, ka thënë ai, duke refuzuar t’i ndalë ngjarjet sportive.

Madje, presidenti Lukashenko është parë duke e zhvilluar edhe një ndeshje të hokejit në akull, duke theksuar se “këtu nuk ka viruse”.

A do të zhvillohen ndeshje të tjera?

Ndeshja derbi e zhvilluar ndërmjet FK Minsk dhe Dinamos, e luajtur më 28 mars, u zhvillua me tribunat gjysmë të zbrazëta, pasi shumë tifozë ishin të merakosur se mund të merrnin virusin.

Por sidoqoftë, kampionati do të vazhdojë me ndeshje të tjera, që nga kjo e premte.

Të premten, 3 prill zhvillohet një ndeshje, kurse të shtunën e të dielën, më 4 e 5 prill, zhvillohen nga tri ndeshje.

Kampionati elitar bjellorus përbëhet nga 16 ekipe, skuadra që e fiton titullin kampion shkon në fazën e kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve, ndërsa tri ekipe bien nga liga.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco