Derbi ‘bllokon’ kryeqytetin, masat të rrepta sigurie për Tirana-Partizani

Derbi ‘bllokon’ kryeqytetin, masat të rrepta sigurie për Tirana-Partizani

09:43, 28/02/2020

Sot luhet derbi dhe jo një betejë luftarake. Sot duhet festë për kryeqytetin, për futbollin shqiptar dhe për gjithkënd që do të jetë në “Air Albania Stadium” për përballjen mes dy ekipeve kryeqytetase.

Mirëpo, që në krye të herës, plani i masave ka qenë më ekstrem për këtë ndeshje me polemikën e kartave të identitetit.

Mbi 250 stjuart janë kërkuar të jenë të pranishëm dhe Policia ka publikuar masat.

Sipas “Panorama Sport” deri në orën 19:00 të së enjtes janë shitur 17 300 bileta.

Interesim i jashtëzakonshëm nga tifozëria e Tiranës e vendosur në 3/4-at e stadiumit me kapacitet prej 22 000 vendesh, si dhe nga mbështetësit e Partizanit të vendosur në gjysmën e tribunës qendrore dhe pjesën pas portës nga ana e universitetit.

Lidhur me interesimin shumë të madh që do të ketë për këtë ndeshje nga tifozët, edhe Policia e Shtetit ka shpallur planin e masave.

Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana-Partizani.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme gjatë momentit të kalimit të tifozërive.

Policia do sigurojë lëvizjen e grupimeve të tifozëve për të dyja ekipet.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Njëkohësisht, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium tifozë më fytyrë të mbuluar me shall, si dhe do të nxirren nga stadiumi tifozët që do konstatohen se kanë mbuluar fytyrën gjatë ndeshjes, në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë.

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar si problematikë.

Policia u bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco