Meta me studentët e Universitetit të Sporteve: Të nxisim vullnetarizmin për dhurimin e gjakut

Meta me studentët e Universitetit të Sporteve: Të nxisim vullnetarizmin për dhurimin e gjakut

14:08, 29/01/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Universitetin e Sporteve të Tiranës.

Kreu i Shtetit së bashku me një grup të madh studentësh, si dhe pedagogë të tyre, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij, në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti shprehu mirënjohjen për të rinjtë e angazhuar vullnetarisht për të dhënë kontributin e tyre humanist për këtë kauzë fisnike, duke e vlerësuar aktin e tyre si ndjenjë të lartë përgjegjshmërie shoqërore.

Njëkohësisht Meta falënderoi futbollistin e njohur, Andi Lila dhe Sindikatën e Futbollistëve të Shqipërisë, që u bënë promotorët e kësaj seance dhurimi gjaku.

“Universiteti i Sporteve i Tiranës, është i vetmi institucion i lartë i këtij lloji, që përgatit mësuesit e edukimit fizik dhe specialistët e sportit, dhe më vjen mirë që vullnetarisht ju i bashkoheni kësaj kauze humane, për më tepër duke dhuruar gjak sportisësh, që për shkak të përgatitjes suaj fizike është shumë cilësor.

Me këtë akt fisnik ju i jepni nder, jo vetëm sportit, por edhe Universitetit Tuaj, nga i cili kanë dalë shumë figura të shquara të sportit shqiptar, që e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare.

Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurt dhe tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, të cilët unë besoj do vijojnë me vullnetarizëm të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti njerëzor.

Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut dhe për kauza të tjera sociale. Të rinjtë janë ata që mund të bëjnë ndryshim të madh me energjinë dhe me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Të forcojmë solidaritetin shoqëror dhe vullnetarizmin, për të mbështetur këdo që ka nevojë për ndihmë!

Një falenderim të veçantë kam për futbollistin e shquar, Andi Lila dhe Sindikatën e Futbollistëve të Shqipërisë, që u bënë promotorët e kësaj seance dhurimi gjaku”, - tha Presidenti Meta.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco