‘Gjyqtarët gabime ku nuk ke çfarë të thuash’, flet Jareci: Për rastin e Ngos...

‘Gjyqtarët gabime ku nuk ke çfarë të thuash’, flet Jareci: Për rastin e Ngos...

21:15, 24/01/2020

Arbritrat këtë herë dolën zbuluar. Dikush ka të drejtë që e etiketon edhe javë skandaloze e arbitrimit. Të tjerë, kërkojnë përgjigje për akordime ose mosakordime flagrante. Ka edhe prej atyre nga vetë trupa e gjyqtarëve që pyesin se si koleget vepruan kësisoj që në start të 2020-ës, duke shtuar artificialisht edhe tensionin mbi vetë ata, kur në të vërtetë u luajt vetëm java e fundit e fazës së dytë. 

E teksa gjyqtarët, me çfarë “frynë” apo nuk vërshëllyen në javën e 18-të, janë vënë përpara breshërisë së gjithanshme të kritikave (me të drejtë). Edhe vetë Disenjatori i tyre, Sokol Jareci, zihet ngushtë. E ka të vështirë të flasë, teksa edhe për vetë atë, shumica e ndeshjeve kanë pasur episode në disfavor. Shumë i kujdesshëm në artikulim, por edhe i drejtpërdrejtë, në një intervistë, Jareci “skanon” gjithçka ka ndodhur këtë javë.

Jareci, sa shumë zhurmë që në javë të parë të 2020-ës… 

Eh… Pati vërtetë shumë zhurmë. Diku me shumë të drejtë, e diku e detyruar shumë edhe prej rezultateve. Në ndonjë rast, gabim ku s’ke as ç’të thuash, në ndonjë tjetër, vlerësim për t’u evidentuar nga gjyqtarët. Në fakt, s’ka shumë për të thënë këtë javë.

Si e vlerësoni gjykimin në Superiore për këtë javë?

Rastet janë të dukshme. Nuk mund të komentojmë ato raste të cilat ne i konsiderojmë bardhë e zi, pasi gabimet janë gabime. Sidomos ato dy situatat në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Gjirokastra” mes Luftëtarit dhe Kukësit.

Pse u caktua ai gjyqtar? 

Ai është një arbitër i ri. Kërkon edhe eksperiencën e vet, kohën e vet… Por, edhe një herë e përsëris, që nuk e them këtë gjë për të mbuluar gabimet. Çfarë është e gabuar, është e gabuar dhe pikë.

 

Po në ndeshjet e tjera?

Unë mendoj se në ndeshjet e tjera, gabimet janë më se normale. Profesor, ju lutem ndalemi.

Si i vlerësoni rastet te Tirana-Bylis?

Nëse flasim për rastin e golit të parë, është një prekje e topit me dorë, të cilin ne e evidentojmë në televizion. Të jem i sinqertë me ju, e kam ndjekur ndeshjen në televizion dhe në momentin e parë që është zhvilluar aksioni, kam menduar që ishte një aksion dhe gol i rregullt. Nuk e evidentova dot. Prekjen me dorë e vura re vetëm te përsëritja.

Doni të thoni që është e justifikueshme?

Jo, është gabim. Me ndryshimet e reja të rregullores, prekja me dorë kërkon ndalim të lojës në atë moment.

Po goli i dytë i Tiranës, është i rregullt?

Ka nevojë që të ndalemi pak në këtë episod, sepse përfshin dy elemente. Fillimisht, dua të filloj me kohën e shënimit të atij goli. Nëse vëmë re momentin e akordimit të faullit, bëhet fjalë për minutën 90+3 dhe në mos gaboj, diçka më shumë se 30 sekonda. Pra, faulli është shkaktuar brenda kohës së rregullt, me gjithë shtesën.

Po si është rregullorja për këtë rast?

Në këtë rast, rregullorja thotë: Kur një faull shkaktohet brenda kohës së rregullt, përfshirë edhe minutat e shtesës, ekzekutimi do të marrë të gjithë kohën e nevojshme për t’u gjuajtur ai moment.

Edhe nëse goli shënohet me gati 3 minuta mbi kohën shtesë?

Po. Për vijim të përgjigjes së mësipërme referuar rregullores, loja përfundon me ekzekutimin e goditjes së dënimit. Mund të jetë edhe një goditje nga këndi, rivënie anësore ose përfundim i një sulmi të mundshëm.

Si interpretohet, sepse shpesh nuk është mbajtur i njëjti standard… 

Një sulm i mundshëm drejt portës, konsiderohet aksion i përfunduar, në momentin që sfera shkon në një zonë neutrale.

Që do të thotë?

Duhet të dalë topi patjetër jashtë zonës në të cilën po bëhet ky aksion. Sapo del, arbitri gjen momentin e duhur për të vërshëllyer përfundimin e lojës.

A ka prekje të topit me dorë nga Ngo?

Është shumë e vështirë. Jua them me sinqeritet që është jashtë mase e vështirë ta evidentosh. Më besoni për këtë, pasi në atë fragment, përveç Ngosë, është Gentjan Muça i Tiranës, është portieri Hidi i Bylisit dhe një tjetër futbollist i skuadrës mike. Kam dyshime që edhe me VAR, një rast i tillë nuk mund të zgjidhej dot.

Po vijoj me logjikën e dyshimit. Po faull ndaj portierit a ka? 

Jo! E them me bindje. As Ngo dhe as Muça ndaj Hidit nuk shkaktojnë faull. Për këtë rast që flasim, në transmetim keni dy pamje. Një të qartë që tregon se Ngo nuk ka bërë faull, nuk ka shtytje. Gjithashtu, edhe një pamje tjetër, e cila tregon se Muça kërcen, nuk ka kontakt për faull me Hidin. Ka kërcyer në kërkim të topit, por jo në shtytje e sipër ndaj Hidit.

Nëse do të kishte një arbitër linje, pas portës…

Situata është shumë e vështirë. Edhe sikur të kishte një arbitër pas porte, kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë për t’u zgjidhur.

Ka pasur një penallti në favor të Bylisit, e saktë? 

Po. Ka prekje të topit me dorë, është penallti.

Në Skënderbeu-Partizani, ka penallti në favor të miqve kur mbrojtësi pretendon për faull dhe kap topin me dorë. Çfarë mendoni për rastin? 

Unë i kam dhënë komplimente arbitrit, që në momentin e parë. E them këtë, sepse futbollistët duhet të mësohen që loja ndërpritet vetëm me vërshëllimën e arbitrit. Së dyti, ai rast është një simulim i ekzagjeruar nga ana e mbrojtësit. Absolutisht që nuk ka faull.

Po penalltia e dytë? 

Perceptimi i parë në fushë është për penallti, sepse në atë moment, edhe Dita, edhe Imami ngrenë duart lart dhe të jepet përshtypja që bëhet fjalë për 11-metërsh. Pra, bëhet fjalë për një rast shumë të vështirë. Ama, nëse e sheh me video në televizion, duket që topi bie në kokë.

Një sfidë si Skënderbeu-Partizani, a nuk meritonte të kishte 6 arbitra? 

Ne kemi një rregullore, nga Komiteti Ekzekutiv, e cila sanksionon se vetëm një ndeshje do të arbitrohet me gjashtë arbitra. U mendua që një ndeshje e vështirë e kësaj jave të konsiderohej Teuta me Laçin. Por, për vetë mënyrat si erdhën ndeshjet, edhe në Tiranë duheshin gjashtë. Edhe te Skënderbeu me Partizanin duheshin gjashtë. Megjithatë, të mos harrojmë që në pjesën më të madhe të kampionateve në Europë, nuk arbitrohet më me gjashtë, edhe atje ku nuk ka VAR. 

Po thoni që është e panevojshme? 

Jo, madje them që e mira është të jetë një argument më shumë për çdo rast. Si të thuash, është më mirë që të ketë dy palë sy në vendimmarrje.

 Në Shqipëri, a ka nevojë të jenë 5 ndeshjet e Superiores me 6 arbitra? 

Arbitrimi, në të gjithë botën, ka nevojë që të jetë me gjashtë në fushë. Edhe nëse nuk ka gjashtë, ka nevojë për VAR. Pra, të gjitha këto bëhen për të tentuar që të ketë sa më pak gabime dhe për t’i minimizuar në maksimum, që çdo situatë të zgjidhet mirë dhe ekipet të marrin atë që japin në fushë.

Në start të 2020-ës, nuk është aktivizuar Kridens Meta, arbitri më i mirë për 2019-ën dhe Xhaja një nga 3 kryesorët me stemë. Pse? 

Xhaja ka qenë pushim. Shikoni, janë pesë ndeshje për të cilat kemi 18 arbitra. Është bërë një zgjedhje e tillë, për shkak se ishte ndeshje në mesjavë dhe do të kemi ndeshje menjëherë në fundjavë. Kështu që u pa e arsyeshme që të bëhej aktivizimi i këtyre arbitrave që patë në fushë. Pra, nga ana jonë, u konsideruan ndeshje të tilla që mund të evidentonim edhe arbitrin e ri, Bastarin.

Si u konsiderua Luftëtari-Kukësi? 

Një ndeshje relativisht e lehtë dhe prandaj aktivizuam edhe djalin e ri, Bastarin. Por tashmë, duke parë ecurinë e ekipeve, nuk ka më ndeshje të lehta. Të gjithë arbitrat, duke nisur me ato me stemën e FIFA-s, do të jenë në betejë. Që nga kjo javë.

Penalltia në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Flamurtarit? 

E kam ndjekur direkt atë ndeshje dhe në atë penallti të akorduar, ka një element që është për t’u përshëndetur. Bëhet fjalë për bashkëpunimin mes gjyqtarëve, sepse ka qenë asistenti Redvan Shaba ai që e ka dhënë verdiktin final mbi 11-metërshin. Kjo, sepse pamja e tij ka qenë shumë më e saktë, sesa e kryesorit. Nga pamjet, duket që është penallti. Nuk them që është ndër ato që konsiderohen flagrante, por ka shumë elemente për ta akorduar 11-metërshin.

Pse kaq shumë gabime të arbitrave? 

Si të them? Arbitrat vijnë nga një fazë pushimi. Periudhë në të cilën ndoshta janë të relaksuar edhe më shumë sesa duhet, sepse kanë qenë pushim. Duke qenë se nuk kanë qenë në rutinën e tyre të ndeshjeve, në njëfarë mënyrë, mund edhe ta justifikojmë çfarë ka ndodhur. Megjithatë, e theksoj dhe përsëris që gabimet nuk justifikohen, edhe pse shpesh situatat janë të vështira. Është një punë që ata e kanë marrë përsipër dhe deri tani them se e kanë zgjidhur mirë. Unë përfshij edhe javën që përfundoi, edhe pse me gabime.

Si mund të korrigjohet kjo situatë? 

E thjeshtë fare. Ata duhet të përqendrohen. Duhet të jenë 100% të përqendruar në fushën e lojës. Të jenë të kujdesshëm në çdo moment, të jenë afër situatave dhe të pozicionohen saktë. Janë disa elemente që bëjnë të mundur vendimmarrjen e saktë nga ana e arbitrit. Shpeshherë, në punën e arbitrit, edhe fati është pjesa më e madhe e lojës. Pra, në rastet e ndeshjes TiranaBylisi, nëse takimi përfundonte barazim, zhurma do të ishte shumë herë më e vogël, sesa ajo që ndodhi edhe pas ndeshjes. 

A ka konkurrencë mjaftueshëm mes arbitrash, edhe pse përmendët që janë 18 kryesorë, që secili ta ndiejë veten të kërcënuar nga një më i aftë? 

Ne tashmë kemi një ekip të konsoliduar me arbitra, të cilët kanë eksperiencë. Duke përfshirë edhe katër apo pesë që kanë ardhur në vitet e fundit. Peshën kryesore e mbajnë arbitrat e FIFA-s dhe pastaj ata me më tepër eksperiencë. Ndoshta, për momentin, nuk kemi një element i cili ka një bagazh të mjaftueshëm për të konkurruar arbitrat me stemë apo ata me më shumë eksperiencë. Megjithatë, mosha e tyre është shumë e re dhe kjo na bën optimistë për të ardhmen. Gjithsesi, çdo gjë duhet t’ia lëmë fushës së lojës.

Çfarë po ndodh me Akademinë e Arbitrimit, a jeni i kënaqur? 

Akademia vazhdon. Kemi përfunduar pjesën e parë, atë që e konsiderojmë të prezantimit. Tani kemi pjesën e konsolidimit. Ajo që mua më shqetëson, jo vetëm me akademinë, por edhe në përgjithësi, është mungesa e elementeve që ne duhet të na vijnë nga rrethet. E them këtë, sepse rreth 90% e prurjeve në akademi, si tek e para, edhe tek e dyta, ishin nga Tirana. Kemi nevojë që të kemi elemente edhe nga rrethet, pasi bëhet e vështirë të mbash një kampionat vetëm me gjyqtarë nga zona e Tiranës.

Kush do të ishte kontingjenti më i mirë për arbitra, sipas jush? 

Mund të them ish-lojtarët, apo më saktë, ata fëmijë që kanë luajtur futboll deri në një moshë të caktuar dhe nuk e gjejnë veten me të ardhme. Janë kontingjenti më i mirë, sepse e njohin futbollin më mirë sesa një që nuk është i sportit.

A keni një apel për të bërë? 

Po, e kam për komentatorët, gazetarët, që të jenë më të qetë. Unë e kuptoj punën që duan të bëjnë. Edhe trajnerët, apo të gjithë, i mirëkuptoj në faktin që duan të marrin rezultatet e tyre, por duhet të kemi parasysh që arbitrimi kështu është. Duhet të marrësh vendimin e duhur në fragmentin e sekondës. Shumë herë duhet që t’i mirëkuptojmë arbitrat. Ashtu siç edhe unë apo ne, shpesh mirëkuptojmë trajnerët.

 Pse e thoni këtë? 

Jo për justifikim, por trajneri i Bylisit duhet të ishte larguar me karton të kuq që në fushë. Pavarësisht se ai e mori në fund, por Enea (Jorgji) ndoshta e ka mirëkuptuar, për vetë rrethanat e ndeshjes apo situatat e krijuara. Mbi të gjitha, duhet të kemi një bashkëpunim nga të dyja krahët (panoramasport).

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco