Champions League/ Variantet si do të kualifikohen 8 ekipe nga faza e grupeve

Champions League/ Variantet si do të kualifikohen 8 ekipe nga faza e grupeve

10:13, 10/12/2019

Tetë skuadra kanë siguruar kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve, ndërsa në javën e fundit priten edhe 8 të tjera për të plotësuar 16 ekipet më të mira të kontinentit.

UEFA ka bërë llogaritë për çdo grup në bazë të rregullores së kualifikimit.

Skuadrat që deri tani kanë siguruar biletën për në fazën e 1/8-ave janë Barcelona, Bayern Munchen, Juventus, Leipzig, Manchester City, PSG, Reali i Madridit dhe Totenhemi.

Disa ekipe të tjera e kanë mësuar fatin e tyre që nuk kanë asnjë shans për të vazhduar mes 2 më të mirave të grupit.

Ato janë: Benfica, Klub Bryzhi, Crvena Zvezda, Gallatasaraji, Genk, Lokomotiva e Moskës, Lila, Olimpiakos, Slavia e Pragës.

Variantet e kualifikimit

Grupi E: Salcburg 7 pikë, Liverpul 10, Napoli 9, Genk 1.

Liverpuli do të kualifikohet në fazën tjetër nëse do të barazojë, ose Napoli do të humbasë kundër Genkut.

Napoli do të kualifikohet nëse barazon, ose nëse Salcburgu nuk e mund dot Liverpulin.

Salcburgu do të sigurojë kualifikimin nëse mund Liverpulin dhe Napoli nuk e mund dot Genkun; ose nëse Napoli fiton, por Salcburgu e mund Liverpulin me një rezultat më të mirë sesa 4-3, me të cilin humbën në javën e dytë.

Grupi F: Inter 7, Barcelona 11, Dortmundi 7, Slavia 2.

Barcelona është e kualifikuar si fituese e grupit F.

Interi do të kualifikohet në fazën e ardhshme nëse e mund Barcelonën ose e mbyll me pikë të barabarta me Dortmundin.

Në këtë rast, zikaltrit janë të avantazhuar për shkak të sfidës direkte, e cila vendoset nga golat në favor të zikaltërve.

Dortmundi do të kualifikohet nëse grumbullon më shumë pikë sesa Interi.

Slavia e Pragës do ta mbyllë këtë edicion në vendin e katërt.

Grupi G: Lion 7, Lajpcig 10, Benfika 4, Zenit 7

Lajpcigu është i kualifikuar për në fazën e 1/8-ave, por me një barazim mund të sigurojë edhe vendin e parë.

Zeniti do të kualifikohet në rast se mund Benfikën dhe Lioni nuk e mund dot Lajpcigun, ose të dyja ndeshjet barazohen dhe përfiton nga përballja direkte.

Lioni mund të presë biletën nëse mund Lajpcigun ose nëse barazon dhe Zeniti humbet me Benfikën.

Benfika e ka të pamundur që ta mbyllë grupin në 2 vendet e para. Portugezët mund të renditen në vendin e tretë nëse mundin Zenitin me një rezultat më të mirë sesa 3-1 dhe Lioni nuk humbet. Mund të kualifikohen edhe nëse fitojnë me çdo rezultat dhe Lioni humbet me Lajpcigun.

Grupi H: Ajaks 10, Valencia 8, Çelsi 8, Lilë 1

Ajaksi do të kualifikohet nëse barazon, ose nëse Çelsi dështon të mundë Lilën.

Valencia do të presë biletën nëse mund Ajaksin ose nëse e mbyll me pikë të barabarta me Çelsin dhe ia del për shkak të ndeshjeve direkte.

Çelsi do të kualifikohet nëse mund Lilën ose nëse barazon dhe Valencia humbet me Ajaksin.

Lila do ta mbyllë në vendin e katërt.

Grupi A: PSG 13, Gallatasaraj 2, Bryzh 3, Real Madrid 8

Parisi është kualifikuar si vendi i parë.

Reali i Madridit ka siguruar kualifikimin.

Klub Bryzh nuk mund të kualifikohet, por mund të dalë në vendin e tretë nëse mund Realin ose Gallatasaraji dështon të mundë Parisin.

Gallatasaraji mund të konfirmohet në vendin e fundit nëse humbet me PSG-në.

Grupi B: Bajern 15, Totenhem 10, Olimpiakos 1, Crvena Zvezda 3

Bajerni ka siguruar kualifikimin si skuadra fituese e grupit.

Totenhemi gjithashtu është kualifikuar.

Crvena Zvezda mund të dalë në vendin e tretë nëse shmang humbjen me Olimpiakosin.

Olimpiakosi mund të dalë në vendin e tretë nëse mund Crvena Zvezdën.

Grupi C: Dinamo 5, Man. Siti 11, Shahtjor 6, Atalanta 4

Mançester Siti është kualifikuar si kokë grupi.

Shahtjori do të kualifikohet nëse mund Atalantën ose nëse barazon dhe Dinamoja e Zagrebit nuk fiton.

Dinamoja do të kualifikohet nëse mund Sitin dhe Shahtjori nuk mund dot Atalantën.

Atalanta do të kualifikohet nëse mund Shahtjorin dhe Dinamo nuk e mund dot Sitin.

Grupi D: Leverkusen 6, Juventus 13, Atl. Madrid 7, Lokomotiv 3

Juventusi është kualifikuar si e para e grupit.

Atletiko do t’ia dalë nëse mund Lokomotivën ose Leverkuseni dështon të mundë Juventusin.

Leverkuseni do të kualifikohet nëse mund Juventusin dhe Atletiko nuk e mund dot Lokomotivën.

Lokomotiva do ta mbyllë në vendin e katërt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco