Tifozi anglez ‘dashurohet’ me Kosovën: Dua të qëndroj këtu, nuk iki në Angli

Tifozi anglez ‘dashurohet’ me Kosovën: Dua të qëndroj këtu, nuk iki në Angli

18:23, 17/11/2019

Tifozëve anglezë nuk u është dashur shumë kohë për të rënë në dashuri me Kosovën, aq shumë saqë njëri prej tyre po mendon seriozisht ta braktisë atdheun e vet, Anglinë, për vendin ballkanik.

I tillë është Chris Jones nga Crewe në kontin e Cheshire, i cili për “Gazetën Express” ka rrëfyer për mbresat e para që ia ka lënë Kosova gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë, për ta parë ndeshjen me Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Jones, një tifoz i zjarrtë dhe i rregullt në ndeshjet e Kombëtares së “Tre luanëve” edhe jashtë vendit, nuk mund të besojë sesa mikpritës janë kosovarët, vendi të cilin Anglia e viziton për herë të parë në histori të vet, me qëllim për ta përmbyllur fushatën e saj kualifikuese për Euro 2020 si fituese e Grupit A dhe me pjesëmarrjen në garën e verës tashmë të konfirmuar.

“Unë mbërrita në Kosovë të shtunën në mëngjes. Gjëja e parë që e vërejta ishin mesazhet mirëseardhëse për Anglinë në aeroport. Diçka shumë ndryshe”, tha Jones i pyetur për përshtypjet e tij të para për Kosovën.

Jones është i mahnitur me futbollit që luan skuadra e Bernard Challandes dhe nënvizon trimërinë dhe vetëbesimin me të cilin djelmoshat dardanë luajnë.  

I pyetur se çfarë mendon për ekipin kombëtar më të ri në Evropë, Jones tha: “E kam parë paksa. E pashë ndeshjen me Anglinë dhe më la mbresa. Ata luajtën futboll shumë të mirë dhe pa frikë. I shkaktuan Anglisë probleme serioze”.

Ai pa ngurrim e thotë se Kosova është vendi më i mirë që e ka vizituar, aq i mirë dhe me njerëz aq miqësorë dhe mikpritëse saqë e bën atë të dëshirojë të jetojë në Prishtinë përgjithmonë.

“Mikpritja më bën që të mos dëshiroj të kthehem më në shtëpi. Të gjithë këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. (Kosova) është vendi më i mirë që kam qenë”, shtoi ai.

“Po kaloj kohë të bukur këtu. Mund të shohësh dhe të bësh shumë gjëra këtu”, përfundoi ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco