Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me titullin “Mjeshtër i Madh”, një nga sportistet më të shquara në të gjithë historinë e Atletikës shqiptare, Luiza Gega.
Në ceremoninë solemne të zhvilluar në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit, Ilir Meta vlerësoi Luiza Gegën si sportiste e përmasave botërore.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve familjarë dhe të afërm të Luiza Gegës, kolegë dhe personalitete të sportit, Presidenti i Republikës theksoi:
“Të nderuar personalitete të sportit shqiptar, e sidomos të botës së atletikës.
E konsideroj një privilegj të nderoj sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega.
Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën.
Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara të rëndësishme shumë të ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare.
Serioziteti e sakrificat në punën e saj janë themeli i sukseseve të shumta.
Luiza vazhdon të kontribuojë me performancën e saj, jo vetëm në rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por me personalitetin e saj ajo është bërë një shembull i rritjes së identitetit dhe imazhit tonë kombëtar.
Luiza është një nga ambasadoret më të mira të kombit tonë, anembanë botës.
Megjithë sukseset e saj ajo vazhdon të mbetet e përkushtuar dhe besoj që puna e saj dhe në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të jetë objektivi i radhës.
Përfitoj nga rasti, për të theksuar se një sportiste e tillë ështënder për të gjithë ne.
Të nderuar të pranishëm!
Sukseset e Luizës, të cilat nuk mbarojnë, jam i bindur që do të marrin një ritëm edhe më të lartë nga sot.
Faleminderit Luiza për gjithçka që keni bërë!”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: