Sot luhet Brescia-Inter, zikaltrit duan kreun e Serie A

Sot luhet Brescia-Inter, zikaltrit duan kreun e Serie A

10:02, 29/10/2019

Tek Interi duan të tregojnë që barazimi ndaj Parmës të shtunën ishte thjeshtë një aksident, pasi skuadra është në “shëndet” të plotë dhe e aftë për të rivalizuar Juventusin në garën për titull.

Conte ua bëri të qartë lojtarëve të tij se nuk do të shikojë një tjetër hap fals si ai ndaj skuadrës emiliane, sfidë të cilën Interi edhe mund ta kishte fituar për atë çfarë krijoi në pjesën e dytë.

Mesjava ka ardhur shpejt dhe Serie A rikthehet me sfidat e javës së 10-të, që do të nisë këtë të martë dhe do të përfundojë të enjten.

Pas 8 vitesh Interi do të udhëtojë sërish drejt Brescias për të sfiduar në stadiumin “Rigamonti” Mario Balotellin me shokë.

Një fitore do t’i ngjiste zikaltrit në krye të Serisë A, në pritje të sfidës së Juves ndaj Genoas.

I detyruar edhe nga mungesat e Sensit, Vecinos, Sanchez dhe D’Ambrosios, Antonio Conte është i detyruar që edhe përballë Brescias të hedhë në fushë të njëjtin formacion si ndaj Parmës, me ndryshimet e vetme që do të rikthehen në 11-shen titullare, De Vrij dhe Asamoah, me Bastonin e Biraghin që do të ulen në stol.

Në dy ndeshjet e fundit ndaj Brescias që datojnë në sezonin e largët 2010-2011 kur “dallëndyshet” kanë qenë për herë të fundit në Serie A, Interi nuk ka fituar asnjë duke i barazuar të dyja me rezultatin 1-1, me gola të Samuel Eto’o dhe Andrea Caracciolos në të dyja takimet.

Fitorja e fundit e Interit në stadiumin “Mario Rigamonti” daton 14 vjet më parë pikërisht në 2005-ën me shifrat 0-3, rezultat që skuadra e Antonio Contes do të kërkojë ta përsërisë mbrëmjen e sotme për të fluturuar në krye të Serie A.

Mario Balotelli ndërkohë do të sfidojë edhe njëherë tjetër skuadrën ku u formua si lojtar teksa në 5 përballjet e mëparshme me fanellën e Milanit, nuk i ka shënuar asnjëherë zikaltërve.

Në stol te “dallëndyshet” do të jetë edhe Emanuele Ndoj i cili është rikthyer nga dëmtimi dhe duke patur parasysh mungesat që Brescia ka në mesfushë mund të aktivizohet disa minuta në fraksionin e dytë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco