Juventusi në alarm për mungesat, por i rikthehet Ronaldo

Juventusi në alarm për mungesat, por i rikthehet Ronaldo

12:38, 28/10/2019

Juventusi bëri një “përplasje” të dhimbshme në Leçe, me plot kuptimin e fjalës.

Jo vetëm dy pikë të lëna përballë një skuadre që përpara duelit të së shtunës nuk kishte marrë asnjë pikë në stadiumin e vet, por edhe disa dëmtime që ngrenë alarmin në radhët e bardhezinjve.

Nëse Gonzalo Higuain mori një bërryl të fortë në kokë, duke pësuar një çarje të thellë, e cila e dërgoi menjëherë në spital pas ndeshjes, është Miralem Pjaniç ai që tremb më shumë.

Lojtari më në formë i Juventusit deri në këtë pjesë të sezonit doli nga fusha duke shtrënguar muskujt e pasmë të kofshës së djathtë dhe ndonëse vizitat mjekësore janë parashikuar për në mëngjesin e sotëm, burime nga stafi mjekësor bardhezi nënvizojnë se fantazisti boshnjak pritet që të qëndrojë jashtë fushave deri pas pauzës së kombëtareve.

E thënë ndryshe, për 4 javët e ardhshme, në pritje të duelit të 23 nëntorit kundër Atalantës.

Kjo do të thotë se përveç ndeshjes së radhës në kampionat, të mërkurën kundër Genoas, por edhe për derbin e fundjavës, Pjaniç me 90 për qind do të humbasë edhe duelin në Champions me Lokomotivën dhe supersfidën e 10 nëntorit me Milanin.

Për takimin e mesjavës është në dyshim edhe Higuain, duke qenë se trauma e marrë në kokë ka qenë shumë e fortë, por ndërkohë edhe mesfushori Rodrigo Bentankur ka dalë me hematomë në brinjë, pas ndeshjes me Leçen, prandaj edhe ai pritet që të mos jetë pjesë e të grumbulluarve për Genoan.

Gjithsesi, lajmi i mirë për Juventusin është se për sfidën e të mërkurës do të kthehet në dispozicion Cristiano Ronaldo, i lënë pushim në Pulja, por sot priten përgjigje të analizave edhe për Douglas Costën, ndonëse duket e vështirë që braziliani të jetë në dispozicion për Genoan apo Torinon, ndërsa ka shanse për të qenë i gatshëm ndaj Lokomotivës dhe Milanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco