Milani s’del dot nga kriza, i ‘dorëzohet’ Romës në ‘Olimpico’

Milani s’del dot nga kriza, i ‘dorëzohet’ Romës në ‘Olimpico’

20:01, 27/10/2019

Skuadra e Romës kthehet te suksesi pas dy barazimeve radhazi teksa në “Olimpico” mposhti me rezultatin 2-1 Milanin.

Kuqezinjtë u dorëzuan pa shumë kushte ndaj verdhekuqve, ndërsa edhe trajneri Stefano Pioli duket se nuk po jep efekt për të nxjerrë skuadrën nga kriza, teksa është ndeshja e dytë pa njohur triumf.

Ndërkohë, sa i përket ndeshjes, Roma arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 38 falë golit të Edin Xhekos.

Sulmuesi boshnjak shfrytëzoi një goditje këndi dhe pas një devijimi të sferës, u gjend i vetëm përballë Donarumës, aty ku nuk e kishte të vështirë për të realizuar me kokë.

Në fraksionin e dytë Milani u mundua të ndryshonte mentalitet dhe hodhi më shumë vështrimin nga porta kundërshtare. Madje ia dolën edhe të rivendosnin ekuilibrat.

“Djalli” shënoi falë transferimit të verës Teo Hernandez, i cili u tregua i saktë me goditjen brenda zonës.

Por, entuziazmi i kuqezinjve u shua shpejt pasi në aksionin pasardhës, Zaniolo ndëshkoi sërish Donarumën.

Talenti i verdhekuqve u tregua i saktë në limitet e zonës dhe shënoi të dytin. Gol, i cili rezultoi ai i suksesit pasi rezultatin nuk ndryshoi deri në fund.

Pas këtij rezultati, Milani mbetet në vendin e 12 pranë fundit të tabelës teksa kanë grumbulluar vetëm 10 pikë. Sakaq, në krahun tjetër, Roma falë këtij rezultati ngjitet në vendin e pestë me 16 pikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco