Salihi: Nuk e kisha menduar një Vllazni kaq kompetitive. Reja? Meriton kofirmimin

Salihi: Nuk e kisha menduar një Vllazni kaq kompetitive. Reja? Meriton kofirmimin

11:04, 20/10/2019

Ish sulmuesi i njohur i Kombëtares Shqiptare, tashmë ndihmës i trajnerit Edi Reja te kuqezinjtë, Hamdi Salihi ishte në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport.

Nga Kalifornia e Shteteve të bashkuara të Amerikës, ku është zhvendosur të jetojë me familjen e tij që kur vendosi të “varë këpucët në gozhdë”, bomberi shkodran foli për kampionatin shqiptar, Kombëtaren kuqezi dhe rinovimin e trajnerin Edi Reja.

Keni vendosur të jetoni në Amerikë. A keni në plan një rikthim në Shqipëri?

Për momentin besoj se kam bërë një zgjedhje të mirë të vij në Amerikë, por të shohim, jam gjëra që i vendos me familjen. Edhe këtu merrem 24 orë në ditë me futbollin. Komunikojmë me ata që kemi në ekipin kombëtar, por edhe kërkoj lojtarë të tjerë. Afrohem edhe me ekipet që gjenden këtu rreth e qark.

A ju ka befasuar Vllaznia në këtë start të kampionatit?
Më vjen shumë mirë sepse është një Vllazni që nuk e kisha menduar kaq kompetitive në fillim dhe kaq e mirëvendosur në fushë. Përgëzoj lojtarët dhe stafin, Licin dhe të tjerët aty pranë, sepse e di që kanë pasur një punë mjaft të vështirë.

Tirana synon titullin kampion këtë sezon. Mendoni se e ka stofin për t’ia dalë?
Tirana nuk është se po luan keq dhe grupin e ka, por pjesa më e vështirë është opinioni. Lojtarët dhe drejtuesit gabojnë kur kërkojnë të shkëputen që në javën e pestë apo të gjashtë, e të jenë të vetëm në krye të klasifikimit. Tani u duhet durimi, që nga java në javë të binden që gjërat do shkojnë ku duhet. 

Skuadra tjetër shqiptare me të cilën keni luajtur, Skënderbeu po bën një kampionat dinjitoz, ndonëse rrezikon edhe shkrirjen…
Unë jo vetëm shpresoj, por edhe besoj që nuk do të ndodhë diçka e tillë sepse unë vetë si lojtar, e si sportdashës më vjen keq dhe do të ishte një mëkat që një ekip, ose një klub i organizuar në mënyrë të tillë të mos jetë më pjesë e futbollit shqiptar. Është një klub e qytet ku kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës me suksese shumë të mëdha, por do të ishte mëkat nëse gjithçka zerohet nga ajo që është bërë deri tani dhe nuk do të ekzistojë më.

Shqipëria është rikthyer në ditët e saj më të mira, nën drejtimin e Edi Rejës. Ju jeni shumë pranë tij, a mendoni se i duhet rinovuar kontrata?

Unë ia kam thënë trajnerit, disa gjëra në fushë i shoh edhe si lojtar, edhe si trajner. Është një njeri që duhet t’i besohet, por në fund gjërat i vendos presidenti. Kam mendimin se ka bërë një punë të mirë, më shumë për qartësinë që lojtarët kanë në fushë. Është i thjeshtë dhe i qartë në gjërat që bën. Besoj që ajo që ka treguar ekipi në fushë i ka dhënë të drejtë trajnerit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco