Serie A/ Bind Napoli, Roma fitore në ‘frymën e fundit’

Serie A/ Bind Napoli, Roma fitore në ‘frymën e fundit’

18:06, 22/09/2019

Një gol i Edin Dzekos në sekondat e fundit të kohës shtesë, i dha fitoren e parë në transfertë Romës, që arriti të triumfojë me rezultatin 1-2 në “Dall’Ara”, përballë Bolognës, në një sfidë vërtet spektakolare.

Gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë të këtij takimi, kur fillimisht ishte serbi Kolarov që kaloi në avantazh Romën në minutën e 49’, por 5 minuta më vonë shkaktoi një penallti dhe i dha mundësi Bolognës të rikthejë baraspeshën me anë të Sansones.

Gjërat për kryeqytetasit u komplikuan edhe më shumë në minutën e 85-të, kur qendërmbrojtësi Mancini u ndëshkua me karton të kuq, pasi goditi kundërshtarin më bërryl, ndërsa trajneri Fonseca filloi të mendojë për të mbrojtur barazimin.

Megjithatë arbitri akordoi 3 minuta shtesë dhe pikërisht në sekondat e fundit të tyre, ishte mesfushori Lorenzo Pellegrini që shpërtheu në krahun e djathtë dhe krosoi saktë për Dzekon në zonë, i cili kërceu fort dhe shtyu topin në rrjetë me një gjuajtje të saktë me kokë.

Kaq mjaftoi që verdhekuqtë të shpërthejnë në festë për fitoren e dytë radhazi në kampionat, që e ngjit në kuotën e 8 pikëve, ndërsa emilianët nuk i ndalën protestat ndaj arbitrit, me pretendimin se goli i Dzekos kishte ardhur pasi kishin kaluar 3 minutat e shtesës.

Fitore bindëse me rezultatin e thellë 1-4 arriti të marrë edhe Napoli në Puglia, përballë Lecces, në një sfidë ku të besuarit e Carlo Ancelottit dominuan vazhdimisht dhe nuk e vunë asnjëherë në dyshim triumfin.

Tekniku napolitani vendosi t’i besojë spanjollit Fernando Llorente një vend si titullar dhe ky i fundit ia shpërbleu duke shënuar golin e parë dhe të katërt, ndërsa Insigne dhe Fabian Ruiz arritën të shënojnë gjithashtu emrin në listën e golashënuesve.

Pas protestave të shumta të tifozëve ndaj presidentit Ferrero, më në fund Sampdoria ndali “hemorragjinë” e humbjeve dhe gjeti fitoren e parë në kampionat, pikërisht në javën e katërt, kur mposhti me rezultatin minimal 1-0 Torinon.

Ishte sulmuesi italian Manolo Gabiaddini, ai që shënoi në portën e Sirigut në minutën e 56’, duke i dhënë 3 pikët e para Sampit të Eusebio Di Francescos, ndërsa Torino merr kështu humbjen e dytë radhazi, pas disfatës ndaj Lecces këtë të hënë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco