Ilir Daja gati për sezonin e ri: Skënderbeu do të tregojë forcën në Superligë!

Ilir Daja gati për sezonin e ri: Skënderbeu do të tregojë forcën në Superligë!

17:12, 22/08/2019

Skënderbeu është në fazën finale të përgatitjeve për sezonin e ri dhe në ditët e fundit korçarët janë duke tentuar kompletimin e ekipit për të përballuar kampionatin në nivelet e kërkuara nga ana e klubit.

Drejtuesit janë duke punuar që t’i vënë në dispozicion trajnerit bardhekuq skuadrën më të mirë të mundshme për sezonin e ri. Në kushte të tilla, Ilir Daja është gati për të marrë përsipër një objektiv të rëndësishëm për cilësinë që kanë bardhekuqtë për momentin.

Trajneri i Skënderbeut bën apel për afrime cilësore dhe njohës të mirë të cilësisë së kampionatit për të arritur objektivat sezonalë në këtë ekip. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, Daja flet hapur në lidhje me atë që i kërkohet nga Skënderbeu dhe drejtuesit e klubit në këtë sezon ku asgjë nuk është e përcaktuar. Numri një i bardhekuqve tregon veç të tjerash se skuadra pavarësisht nisjes së përgatitjeve me vonesë, është gati për ndeshjen e parë të sezonit.

“Të themi të drejtën, ekipi në këtë sezon i ka nisur përgatitjet më vonë se sa duhet. Për këtë arsye, mund të them se përgatitjet janë në një pikë të rëndësishme për sezonin e ri. Në të tilla kushte, duhet të përshtatemi me gjithçka që na ofrohet për momentin. Nisur nga situata në të cilën ndodhemi, mund të them se jam i kënaqur për shkak të lojtarëve të cilët i kemi të gatshëm për sezonin e ri. Këtë e them për faktin se një pjesë e mirë e ‘senatorëve’ janë ende pjesë e ekipit dhe do të jenë ata që do të mbajnë peshën më të madhe të grupit në këtë sezon. E rëndësishme për momentin mbetet që me këtë organikë që kemi në ekip, të përballojmë me sukses ndeshjet e para. Në këtë mënyrë do të tregojmë forcën tonë”, përfundoi Ilir Daja në lidhje me skuadrën që ka në dispozicion për momentin.

Normalisht që për të qenë në nivelin e duhur në këtë sezon të ri, Skënderbeu duhet të ketë elementët e përshtatshëm në grup. Lojtarët të cilët kanë eksperiencë dhe mund ta drejtojnë ekipin në fushë janë të preferuarit e trajnerit, i cili shpreson që në limitet e merkatos të ketë afrime cilësore te skuadra e tij për të bërë të mundur rritjen e cilësisë dhe nivelit të ekipit.

“Skënderbeu, në kushtet në të cilat ndodhet, duhet të shohë më së shumti te lojtarët që kanë një farë eksperience në kampionatin tonë. Një gjë të tillë klubi është duke e vlerësuar. Rrjedhimisht, duhet të afrojmë futbollistë të cilët kanë përvojë në kampionatin tonë, pasi vetëm me lojtarë të rinj është e pamundur që të jemi brenda objektivave. Klubi po punon për një gjë të tillë. Pra, që të afrojë lojtarë të cilët mund të mbajnë peshën e ekipit. Vetëm atëherë mund të flasim në lidhje me atë çka mund të tregojë Skënderbeu në vijimësi”, përfundoi Ilir Daja duke shtuar: “Ajo çka është më e rëndësishmja, qëndron te fakti që të afrohen lojtarë që kanë një farë niveli dhe njohje për kampionatin tonë dhe mund të na japin një dorë në përballimin e situatave të ndryshme që do të na paraqiten këtë sezon”, mbylli deklaratën e tij trajneri i Skënderbeut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco