Superliga në kaos, klubet shqiptare vuajnë problemet financiare

Superliga në kaos, klubet shqiptare vuajnë problemet financiare

15:36, 22/07/2019

Superiorja në kaos total. Ky duhej të ishte një vit që në normalitetin e gjërave duhej të sillte më shumë emocione, skuadra shqiptare që të vazhdonin rrugëtimin në Europë si dhe merkato të nxehtë tek klubet e elitës.

Megjithatë, futbolli shqiptar është në një udhëkryq të rrezikshëm, duke bërë shuma hapa prapa.

Nuk është çudi që të eliminohen të gjitha skuadrat e kampionatit që në raundin e parë, madje nuk është çudi sikur të mungojë edhe një fitore e vetme.

Sipas Supersport, ajo që lë një shije të hidhur është se një muaj larg startit të sezonit nuk kemi ende të konfirmuar situatën te disa klube.

Luftëtari, skuadra që ka befasuar në sezonet e fundit, duke nxjerrë dhe talente si Dejvi Bregu dhe Kristal Abazaj, duket sikur nuk ekziston. Lojtarët janë larguar dhe së fundmi edhe ata që kanë kontratë kanë braktisur “anijen” bluzi, që gjendet vetëm një hap larg mbytjes.

Situata nuk është më e mirë disa kilometra më në perëndim, pasi Flamurtari i lavdishëm është në koma. Skuadra është shpërbërë, ka vetëm largime dhe asnjë afrim. Trajneri i ri është ende i pakonfirmuar, ashtu si dhe situata financiare.

Si Flamurtari ashtu edhe Luftëtari përveçse duhet të nisin formatimin e skuadrës për sezonin e ri, për të cilin janë shumë vonë, duhet të mbyllin edhe problemet financiare që kanë si me tatimet ashtu edhe me gjyqet ndaj sportistëve apo ish-trajnerëve.

Në Shkodër kanë filluar të lëvizin, duke synuar të minimizojnë disi borxhin e madh financiar me tatimet, ndërkohë që problemi më i madh mbetet e ardhmja e Skënderbeut.

Pas humbjes së gjyqit me UEFA-n klubi duhet të paguajë gjobën prej 1 milion eurosh, pavarësisht se korçarët pretendojnë të vijojnë më tej luftën me qeverinë europiane të futbollit.

Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, qeveria shqiptare, me në krye kryeministrin e vendit, ka kaluar çdo afat të premtuar për ligjin e sporteve, duke vështirësuar akoma më shumë mundësinë e investimeve nga privatët.

Mungesa e rezultateve është logjikë e situatës së krijuar dhe tashmë duhet sa më parë një reagim nga të gjithë, për të shpëtuar futbollin shqiptar të cilit po i humbin vlerat më të mira.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco