‘Tërmet’ te Kukësi, Gjici shpërthen pas eliminimit: Është Turp! Do të ketë shkarkime

‘Tërmet’ te Kukësi, Gjici shpërthen pas eliminimit: Është Turp! Do të ketë shkarkime

08:29, 19/07/2019

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka “shpërthyer” me kritika menjëherë pas sfidës së djeshme në “Elbasan Arena” kundër Debrecenit. Në sytë e tij shihej qartë zhgënjimi, ndoshta më i madhi i gjithë këtyre viteve që ai financon klubin verilindor, gjë që e pranon edhe vetë.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, presidenti i Kukësit shprehu keqardhjen e tij më të madhe pas eliminimit nga turi i parë.

“Normalisht, jam shumë i zhgënjyer, pasi ky ekip duhej kaluar. Gabimi filloi që në ndeshjen e parë ndaj Debrecenit, me gjithë ato raste që janë humbur. Turi i parë është gjithnjë një detyrim për Kukësin, pasi gjithë lufta në kampionat, gjithë ato shpenzime që kemi bërë, investime… Nuk morëm dot kampionatin, nuk kaluam dot as turin e parë, kjo është turp. Gjithë këto vite te Kukësi ky është zhgënjimi im më i madh që kam përjetuar”, u shpreh fillimisht kreu i klubit kuksian.

Më tej, në lidhje me ndryshimet e mundshme në skuadër, Gjici pothuajse konfirmoi largimin e Ernest Gjokës dhe të gjithë atyre që do të shihen si përgjegjës për këtë turp, siç dëshiron ta cilësojë ai.

“Pa diskutim që do të ketë ndryshime, sepse nuk ecet kështu. Ne investojmë pikërisht për të shkuar në Europë, të kalojmë ndonjë tur, të nxjerrim ndonjë para për klubin, sepse janë shpenzime të mëdha këto. Lojtarët kanë përgjegjësinë e tyre patjetër, por edhe stafi drejtues ka përgjegjësinë e vet. Pa diskutim do të shihet çdo mundësi, edhe shkarkime, që të gjithë që kanë përgjegjësi, pasi nuk u kalua turi i parë. E kishin detyrim për ta kaluar dhe kishim vënë edhe premio të mirë për ta, por më kanë zhgënjyer pa masë”, përfundoi shumë i mërzitur Safet Gjici, i cili u pa të largohej menjëherë nga stadiumi.

Tashmë, në rast se zyrtarizohet largimi i Gjokës, gjasat më të mëdha janë që në stolin e Kukësit të ulet Ilir Daja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco