Gjoka optimist përballë Debrecenit: Nëse kualifikohemi, arritje për gjithë futbollin shqiptar!

Gjoka optimist përballë Debrecenit: Nëse kualifikohemi, arritje për gjithë futbollin shqiptar!

09:28, 18/07/2019

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, është shfaqur optimist para ndeshjes me Debrecenin.

Edhe pse skuadra e tij ka humbur 3-0 në Hungari, Gjoka mendon se të besuarit e tij mund t’ia dalin.

I pyetur nga “Panorama Sport”, trajneri renditi edhe disa arsye pse beson se Kukësi mund të bëjë mrekullinë sot në “Elbasan Arena”.

Jeni mundur 0-3 në ndeshjen e parë. Na jepni disa arsye pse kualifikohet Kukësi?

Arsyet janë të shumta. Së pari, nëse do kualifikohemi, nuk do të jetë e mirë vetëm për ekipin e Kukësit, por për të gjithë futbollin shqiptar dhe tregojmë se ne po rritemi çdo ditë si futboll. Sigurisht nuk është e lehtë, sepse përballë kemi një ekip si Debreceni, ku kërkuam të përballeshim denjësisht në Hungari, por nuk patëm as fatin me vete. Por, tani jemi para një realiteti që duhet ta pranojmë, ku jemi mundur 3 me 0. Duhet të bëjmë një sakrificë shumë të madhe, të vrapojmë shumë dhe mbi të gjitha na duhet edhe pak fat për të shënuar golin.

Çfarë do ndryshoni këtë ndeshje dhe a ju vjen keq për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet në Hungari?

Keqardhja është shumë e madhe, të paktën për atë performancë që bëri ekipi. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe është ndër të paktat ekipe shqiptare në Europë që prodhon shumë raste. Përveç kësaj, futbolli është i pamëshirshëm dhe duhet të shënosh, sepse mund të goditësh, siç na ndodhi edhe neve. Gjithsesi, për këtë ndeshje kemi studiuar gabimet tona, lojën e kundërshtarit dhe duhet të jemi shumë agresivë, por edhe shumë të kujdesshëm. Dëshira është shumë e madhe të shënojmë gola dhe ta çojmë deri në fund atë që kemi në plan, por duhet të tregojmë kujdes nga kundërshtari, sepse ka shumë cilësi brenda.

Keni në krah Valdet Ramën, si do ta përshtatni në këtë ndeshje?

Të gjithë e dimë kush është Valdeti, një sulmues që di të driblojë, të kapë thellësinë dhe t’i japë optimizëm skuadrës. Atë ndeshje që bëmë atje duke e dërguar sulmues, sërish në këtë përballje do të jetë ai që do t’i përmbyllë aksionet. Shpresojmë që fatin që nuk e pati para portës në Debrecen, ta ketë kësaj here dhe të na japë atë që kërkojmë nga ai, oksigjenin e duhur. Është pjesë e sulmit, jo vetëm e Kukësit, por e gjithë futbollit shqiptar dhe është fat që e kemi në skuadër.

Do ta kushtëzojë rezultati i ndeshjes së parë përballjen e sotme?

Ne nuk kemi çfarë të kufizohemi më, ne jemi gjithçka për gjithçka. Por, një nga gjërat që unë i kam kërkuar skuadrës, është që ne duhet të fitojmë, të fitojmë të paktën edhe për moral, edhe për dinjitetin tonë. Për të vlerësuar edhe atë takim që bëmë atje. Kështu që, ne do të kërkojmë ta fitojmë ndeshjen, por nuk duhet të harrojmë as mbrapa. Atë që duhet do ta bëjmë gradualisht dhe e shoh te futbollistët, të cilët e kanë dëshirën të bëjnë maksimumin nesër (sot). Urojmë dhe shpresojmë që për të gjithë të shkojë mbarë.

Personalisht, shpresoja të kishit rezultate më të mira në Europë, duke parë edhe si jeni eliminuar para dy vitesh?

Një nga egot e mia personale është që të shkoj në grupet e Europa Ligës, siç kanë shkuar edhe kolegët e mi të nderuar gjatë këtyre viteve. Mungesë fati a nuk e di pse, por edhe me Flamurtarin kemi kaluar ture, por te turi i dytë na ra një ekip i fortë. Edhe para dy vitesh me Sherif Tiraspolin kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, por nuk patëm fat. Edhe këtë vit nga ato që kishim në short na ra Debreceni, ku e dini vështirësinë e këtij ekipi, që u munduam të merrnim maksimumin e sfidës. Nuk arritëm dot në ndeshjen e parë dhe urojmë që të na mblidhet fati i gjithë këtyre viteve në përballjen e nesërme (sotme).

A jeni në presion për kualifikimin, meqenëse edhe presidenti Gjici e kërkon me ngulm?

Nuk është se jemi në presion për kualifikimin. Duhet të dimë diçka, që Kukësi ndërtohet për të ecur përpara. Presidenti Gjici është një person egoist dhe do gjithçka ta arrijë, por jo gjithmonë çfarë kërkon mund të bëhet. Them se nuk jam në presion për të vetmen arsye, se nëse në futboll do të bëhen gjërat me presion, atëherë më shpejt prishen sesa ndërtohen. Sigurisht që presidenti do që gjithmonë të ecim sa më shumë, por unë mundohem të mbaj pak ekuilibrin, të flas dhe ta qetësoj skuadrën dhe duhet të jemi shkallë-shkallë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco