Klop ‘kërcënon’ trajnerin e Bërnlej: Ndal Sitin ose harroje qiranë

Klop ‘kërcënon’ trajnerin e Bërnlej: Ndal Sitin ose harroje qiranë

14:04, 28/04/2019

Liverpul bëri detyrën e tij, duke i shënuar pesë gola Hadërsfilldit të vendit të fundit të premten. Por mund të mos mjaftojë, sepse fati i “reds”-ave tashmë nuk varet vetëm nga paraqitjet e tyre. Duhet të fitojnë edhe dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojnë që Siti të mos bëjë të njëjtën gjë, sepse nëse do të ndodhte kjo, atëherë Klop dhe djemtë e tij nuk do ta realizonin ëndrrën e tyre vetëm për një pikë, aq sa do mjaftonte për të shkaktuar psikodramën kolektive të një tifozërie, e cila ka tridhjetë vite që nuk e feston titullin. 18 herë kampionët e Anglisë kanë kryqëzuar gishtat, me shpresën që skuadra e Guardiolës të ndalet.

Po, por kundër kujt? I zoti i shtëpisë – Te Bërnlej, kushedi pse, nuk ekziston një besim i madh. E çuditshme, sepse skuadra e Shon Dajç javën e fundit ndali në një barazim Çelsin. Por mendimet e Klopit nuk projektohen drejt sfidës së sotme të “qytetarëve” kundër “Clarets”, por për javën pasardhëse: kur Pep dhe kampionët e tij të gjejnë përballë… të zotin e shtëpisë së teknikut gjerman. Po, sepse shtëpia në të cilën jeton trajneri i “reds”-ave prej katër vitesh tashmë, është në pronësi të Brendën Roxhersit, ish-trajnerit të Liverpulit, sot në stolin e “dhelprave”.

Klop ka marrë me qira pronën e paraardhësit të tij dhe është shumë i kënaqur. Por tani, ai kërcënon se nuk do ta paguajë qiranë. “A mund ta bëj? Në Gjermani është e pamundur, por nëse në Angli nuk është kështu, atëherë ma thoni menjëherë, eh”, thotë me humorin e tij ish-trajneri i Dortmundit. Por si mund ta shmangë Roxhersi që llogaria e tij bankare të mos jetë bosh muajin e ardhshëm? Natyrisht, duke mundur Sitin ose të paktën duke e ndalur skuadrën e Guardiolës në një barazim.

Dhe pronari i shtëpisë duket se e ka marrë me shumë sportivitet “kërcënimin” e kolegut të tij, të cilit i kthen përgjigje: “Ah, e kuptova çfarë ka në mendje. Është një tip shumë simpatik dhe duhet të them se është edhe një qiramarrës i shkëlqyer. Nuk ka nevojë që unë të kontrolloj llogarinë, ka paguar gjithnjë në kohë”. Sigurisht, por 6 majin e ardhshëm, nëse Lestëri nuk merr pikë në “Etihad”, ndoshta një sy llogarisë bën mirë t’ia hedhë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco