Në Andorrë do luajmë në një fushë regbie

Në Andorrë do luajmë në një fushë regbie

20:54, 24/03/2019

Shqipëria do të luajë nesër në transfertë kundër Andorrës në stadiumin “Estadi Nacional”, që ka një kapacitet prej 3300 vendesh të ulura për tifozët.

E veçanta e impiantit që do të presë kuqezinjtë nuk është kapaciteti i ulët, por vetë fusha.

Kjo e fundit është me bar artificial dhe në këto kushte, Kombëtarja shqiptare në dy seancat e fundit është e detyruar të stërvitet në terrene të tilla për t’u përshtatur sa më shpejt.

Nuk do të jetë e lehtë për kuqezinjtë të përshtaten në një fushë të tillë, që shpesh bëhet edhe objekt dëmtimesh për futbollistët.

Megjithatë, përderisa UEFA ka licencuar këtë impiant, për të cilin janë ankuar disa herë kombëtare të ndryshme, edhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim, teksa është e detyruar të përshtatet.

Trajnerët provizorë të kuqezinjve, Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, krahas situatës jo të mirë që kanë në skuadër pas humbjes me Turqinë, e kanë nisur punën me një përgatitje ekstra në barin artificial të rezidencës në Durrës.

Mbetet për t’u parë tashmë se sa do ta përballojnë lojtarët fushën me bar artificial, edhe pse duhet thënë se një pjesë e tyre nuk e kanë për herë të parë.

Me të tillë terren, më tepër janë mësuar lojtarë, të cilët janë pjesë e kampionateve skandinave ose në Rusi.

“Estadi Nacional” nuk shërben vetëm për Kombëtaren e Andorrës, por gjithashtu edhe për sportin e regbisë në shtetin e vogël. Ky stadium është ndërtuar vetëm në vitin 2014.

Për herë të parë një ndeshje eliminatore u luajt më 9 shtator 2014, pikërisht Andorrë-Uells 1- 2.

Rekordin e shikuesve impianti e ka pasur deri më tani në takimin Andorrë-Portugali, më 7 tetor 2017, teksa kishte 3193 të pranishëm.

UEFA ka dhënë miratimin për t’u luajtur në një fushë të tillë, pasi sipas saj, bari artificial është i një niveli të pranueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco