Cikalleshi i njeh mirë turqit, u nxjerr sekretet

Cikalleshi i njeh mirë turqit, u nxjerr sekretet

08:32, 22/03/2019

Një nga mungesat e rëndësishme në këtë grumbullim të Kombëtares është “turku” i vetëm që kemi në kontingjent.

Sokol Cikalleshi është futbollisti që njeh në detaje kundërshtarin e radhës, pasi që nga sezoni 2015-2016 është pjesë e futbollit turk.

Bomberi i Kombëtares është optimist dhe në një intervistë për “Panorama Sport” tregon sekretet e kundërshtarit, pikat e dobëta dhe jep “recetën” e artë për shokët e repartit të tij, cilido që do të zbresë sot në fushë.

Cikalleshi tregon edhe opinionin e krijuar në Turqi për skuadrën tonë kombëtare dhe rëndësinë që ka kjo ndeshje referuar objektivit kualifikim drejt Europianit “Euro 2020”.

Ju e njihni më mirë se kushdo kundërshtarin, si vjen Turqia në këtë ndeshje dhe çfarë pikash të forta ka?

Turqia, ashtu si ne, në periudhën e fundit ka pasur oshilacione me ulje dhe ngritje. Sidoqoftë, ajo mbetet një nga kombëtaret më të rrezikshme që kemi ne në grup, pavarësisht kësaj. Ka lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën nga momenti në moment. Me ardhjen e tij në stol, trajneri i ri Gunes ka kthyer në kombëtare disa nga emrat e njohur të Turqisë. Mendoj se, edhe pse është në moshë madhore, Emre Belezoglu është një prej futbollistëve më kyç të kombëtares, sepse edhe në Turqi po bën një kampionat shumë të mirë me Bashakshehirin, është lideri i tyre dhe po i çon drejt titullit kampion. Po ashtu kanë në sulm Burak Ilmaz. Kanë në portë një portier shumë të mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Megjithatë, do të doja që ne të bënim një lojë të mirë dhe të tregonim vlerat tona. Gjithashtu, uroj që Turqia të jetë në një ditë jo dhe në fund të jemi ne që ta fitojmë këtë ndeshje.

Luani prej vitesh në Turqi, si mund t’i shënohet portierit turk?

Kam luajtur me portierin Mert te Bashakshehir dhe e njoh shumë mirë. Ai has vështirësi në lojën me këmbë dhe në goditjet tokazi.

A keni një sugjerim për shokët e repartit te Shqipëria?

Në momentin që portierit do t’i kthehet topi pas nga mbrojtësit turq, ne duhet ta presojmë dhe të mos e lejojmë që të luajnë lirshëm. Sepse duke i bërë presion, ai mund të çekuilibrohet dhe të krijohen situata në favorin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco