Lajmi i fundit

INTERVISTË EKSKLUZIVE/ Zv. drejtori i RAI-t Sigfrido Ranucci i përgjigjet Kryeministrit Edi Rama

Nisin sot eliminatoret e Euro 2020, sfidat që nuk duhen humbur për t’i ndjekur

Nisin sot eliminatoret e Euro 2020, sfidat që nuk duhen humbur për t’i ndjekur

09:17, 21/03/2019

Janë 55 skuadra përfaqësuese që fillojnë që prej ditës së sotme aventurën e tyre për fazën eliminatore të Kampionatit të 16-të Europian të futbollit.

Këtë të enjte do të zbresë në fushë kombëtarja e Holandës, që këtë aktivitet e ka fituar në vitin 1988 në Gjermani.

Në Rotterdam, në orën 20:45, Holanda do të presë Bjellorusinë dhe interesant është fakti që të dy këto ekipe janë kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Kombeve, duke fituar grupet respektive.

Dy ekipet bëjnë pjesë në Grupin C, grup ku luajnë gjithashtu edhe Gjermania, Irlanda e Veriut dhe Estonia.

Në 15 ndeshjet e fundit “tulipanët” janë mundur vetëm nga Anglia në një test miqësor, si dhe nga Franca në Saint – Denis, në Nations League, të dyja humbje minimale, megjithatë një ecuri e tillë i ka ngjitur “portokallinjtë” deri në vendin e 14-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, gjithsesi vlen të përmendet fakti që Holanda në shtëpi i ka fituar që të katërta përballjet me Bjellorusinë, madje me një golaverazh 11-1.

Në Grupin i bie në sy takimi Belgjikë – Rusi. Ndeshja do të luhet në orën 20:45, në Bruksel, dhe “Djajtë e Kuq” nuk do të kenë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si Meunier, Kompany, De Bruyne, Witsel dhe Romelu Lukaku.

Në këtë grup bëjnë pjesë gjithashtu edhe Skocia, Qipro, Kazakistani dhe San Marino, sidoqoftë Belgjika paraqitet në këtë takim pas disfatës së turpshme me Zvicrën, në Ligën e Kombeve, ku ekipi i drejtuar nga spanjolli Roberto Martinez shpërdoroi në Lucernë epërsinë e dy golave, në një kohë kur “Djajve të Kuq” iu mjaftonte qoftë edhe një humbje minimale.

Po në orën 20:45, interes ngjall gjithashtu edhe dueli Austri – Poloni. Të dy vendet nuk arritën të fitojnë dot grupet respektive në Divizionet A dhe B të Nations League, kështu që, si Austria ashtu edhe Polonia, do të bëjnë çmos për të siguruar kualifikimin për në Europianin e ardhshëm nëpërmjet ndeshjeve të Grupit G, grup me gjashtë skuadra ku marrin pjesë gjithashtu edhe Izraeli, Sllovenia, Letonia si dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në Stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës vendasit do të zbresin në fushë pa lojtarë të rëndësishëm, ndërsa “bardhekuqtë”, në krahun tjetër, duhet të zgjidhin dilemën se kush nga dyshja Milik – Piatek do të shoqërojë në sulm kapitenin Robert Lewandowski.

Polonia pozicionohet e 20-ta, ndërsa Austria renditet në vendin e 23-të, gjithsesi “shqiponjat”, që numërojnë 6 ndeshje pa fitore, nuk janë mundur kurrë në ndeshje kompetitive nga përfaqësuesja austriake.

Po për këtë grup, në Shkup, do të luhet edhe ndeshja Republika e Maqedonisë së Veriut – Letoni. Republika balltike ka fituar vetëm 1 nga 14 sfidat e fundit në të gjitha aktivitetet dhe për momentin renditet në vendin e 131-të, plot 60 pozicione poshtë “Luanëve të Kuq”.

Republika e Maqedonisë së Veriut, që ishte një ndër kandidaturat për të pritur ndeshjet e Europianit të ardhshëm, është kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Kombeve nga Divizioni D, përfaqësuese ku një kontribut të veçantë kanë pa dyshim edhe futbollistët me origjinë shqiptare si: Bardhi, Hasani, Alioski, Bejtullai dhe Musliu.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco