Dëmtimi i Shametit alarmon Kukësin, kapiteni humb ‘sfidën e titullit’ me Partizanin

Dëmtimi i Shametit alarmon Kukësin, kapiteni humb ‘sfidën e titullit’ me Partizanin

09:25, 18/03/2019

Kukësi nuk humbi thjesht tri pikë në transfertën me Skënderbeun, pasi “vrau” edhe shpresën për të fituar titullin kampion, teksa diferenca me Partizanin kryesues tashmë ka shkuar 9 pikë.

Sigurisht që matematika i lejon verilindorët të besojnë, por situata nuk është shumë premtuese.

Nga Korça, Kukësi u kthye i mundur dhe i plagosur, me kapitenin Ylli Shameti që ka probleme serioze me gjurin, madje mbrojtësi gjirokastrit rrezikon të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta.

Përplasja me kundërshtarin e detyroi të largohej para kohe nga loja për shkak të dhimbjeve në gju.

Lojtari edhe dy ditë pas ndeshjes e ka të vështirë të ecë normalisht, pasi ndien dhimbje, madje stafi mjekësor i frikësohet edhe ndonjë dëmtimi të mundshëm të ligamenteve.

Shameti pritet të kryejë sot rezonancën magnetike, që do të tregojë më saktë shkallën e dëmtimit dhe hapat që duhen marrë për riaftësimin.

Sipas të gjitha gjasave, 34-vjeçari do të mungojë me Partizanin, pavarësisht se në mes janë ndeshjet e Kombëtares.

Gjithsesi, mosprania ndaj të kuqve do të ishte “kostoja më e lirë”, pasi ekziston frika e një dëmtimi të rëndë që mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.

Te Kukësi janë në ankth për gjendjen e kapitenit, që mbetet një nga pikat më të forta të formacionit të Armando Cungut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco