Largohet nga Kroacia, mesfushori kuqezi nis aventurën e re me kampionët e Letonisë

Largohet nga Kroacia, mesfushori kuqezi nis aventurën e re me kampionët e Letonisë

14:50, 19/02/2019

Një aventurë e re për Herdi Prengën që lë futbollin ballkanas, për t’u transferuar në brigjet e Balltikut.

Mesfushori kuqezi do ta vazhdojë karrierën në Letoni, ku firmosi një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës, me skuadrën e Rigës, kampionen në fuqi të Letonisë.

Në këtë mënyrë, 24-vjeçari që tetorin e kaluar debutoi edhe më Kombëtaren shqiptare në ndeshjen me Izraelin, lë pas kampionatin kroat ku dy sezonet e fundit ishte pjesë e Inter Zapresiç ndërsa më parë i përkiste Lokomotivës së Zagrebit, për të nisur një eksperiencë krejtësisht të re në karrierën e tij.

Tek Inter Zapresiç, Prenga kishte regjistruar 13 prezenca në këtë sezon, duke rënë në sy të emisarëve të klubit letonez, që ia doli me sukses të fitojë shërbimet e mesfushorit, tek i cili beson shumë.

FC Riga është kampionia në fuqi e Letonisë, titull që synon të ruajë edhe në sezonin e ardhshëm, që në këtë vend nis pas pak javësh, në fillimin e muajit mars.

Për Prengën, përtej aspektit ekonomik, në planin sportiv aventura e re ofron mundësinë për të luajtur në një skuadër që ka ambiciet maksimale në kampionatin vendas dhe njëkohësisht i jep mundësinë për të spikatur edhe në kompeticionet europiane.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco